Arianit Sllamniku është arrestuar sot nga Policia e Kosovës në Gjilan me urdhër të Prokurorisë Themelore, pasi dyshohet për ushtrim të kundërligjshëm të veprimtarisë mjekësore ose farmaceutike, si dhe për eksperimente dhe testim të barërave.
Arrestimi është konfirmuar nga kryeprokurori i Gjilanit, Arben Kadriu, i cili bëri të ditur se Sllamniku dyshohet për ushtrim të kundërligjshëm të veprimtarisë mjekësore ose farmaceutike, si dhe për eksperimente të kundërligjshme mjekësore dhe testim të barërave. Ai është ndaluar për 48 orë me masë policore.
Sllamniku dyshohet se u ka shitur disa personave ilaçe për kafshë, duke pretenduar se me to mund të “shërohen” fëmijët me autizëm.
Kryeprokurori Kadriu ka deklaruar se pas marrjes së informacioneve është formuar menjëherë një ekip hetimor, i cili ka nisur trajtimin e rastit, ndërsa pas përfundimit të ndalimit 48-orësh do të vazhdohet me procedurat e mëtejshme ligjore.
Lidhur me këtë rast, mbrëmjen e 19 janarit 2026 ka reaguar edhe Ministria e Shëndetësisë e Kosovës, e cila ka bërë të ditur se ka njoftuar institucionet kompetente dhe është në koordinim me Policinë e Kosovës për trajtimin e çështjes. Në reagimin e saj, Ministria e Shëndetësisë u ka bërë thirrje qytetarëve që t’u besojnë vetëm metodave të verifikuara shkencërisht dhe shërbimeve të ofruara nga profesionistë të licencuar shëndetësorë, duke theksuar se shëndeti i fëmijëve mbetet prioritet absolut dhe çdo keqpërdorim që e rrezikon atë do të trajtohet me seriozitet maksimal institucional.
Ndërkohë, ka reaguar edhe vetë Arianit Sllamniku, i cili përmes një video-mesazhi ka deklaruar se do ta vazhdojë “misionin” e tij, duke mohuar se ka shkaktuar pasoja negative dhe duke pretenduar se askënd nuk e ka detyruar të drejtohet tek ai.
Rasti ka ngjallur shqetësim edhe te organizatat e shoqërisë civile. Koalicioni i organizatave joqeveritare për mbrojtjen e fëmijëve në Kosovë (KOMF) ka shprehur alarm lidhur me raportimet për ofrimin e barnave për “shërimin” e fëmijëve me autizëm, ndërsa Shoqata e të Drejtave të Pacientëve në Kosovë (PRAK) ka deklaruar se ky nuk është thjesht një incident i izoluar, por një fenomen alarmant që nxjerr në pah dështime serioze sistemike në mbrojtjen e pacientëve.
PRAK ka theksuar se niveli i ulët i edukimit shëndetësor dhe dezinformimi publik krijojnë terren për keqpërdorime të tilla, duke nënvizuar se autizmi nuk është sëmundje që “shërohet”, por një gjendje që kërkon mbështetje afatgjate, ndërhyrje multidisiplinare dhe respektim të dinjitetit të fëmijëve dhe familjeve të tyre.










