Arrin në Kosovë trupi i pajetë i ish-kryeministrit Bajram Rexhepi (VIDEO)

Në Aeroportin e Prishtinës ka arritur arkivoli i ish-kryeministrit të Kosovës, Bajram Rexhepi.
Rexhepi ndërroi jetë të hënën në Turqi, në moshën 63-vjeçare.

Ai në muajin prill pësoi sulm në tru, prej kur ndodhet edhe në koma. Pas trajtimit disaditor në Kosovë, Rexhepi ishte dërguar për trajtim në një spital turk.

Rexhepi kishte lindur më 3 qershor 1954 në Mitrovicë. Rexhepi kishte diplomuar në Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin e Prishtinës në vitin 1979 dhe studimet pasuniversitare i kishte përfunduar në Zagreb në vitin 1985.

Punoi për vite me radhë si kirurg i përgjithshëm dhe specialist endoskopik në spitalin rajonal të Mitrovicës, deri në vitin 1990.

Gjatë luftës me Serbinë më 1999, Rexhepi iu bashkua Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe kaloi tre muaj në male, duke shërbyer si mjek në zonën operative të Shalës.
Ndërkaq, më 2002 ishte zgjedhur kryeministër i parë i institucioneve të përkohshme vetëqeverise të Kosovës.

Saktësisht, më 4 mars të vitit 2002, pas tre muaj bisedimesh dhe me ndërmjetësimin e kryeadministratorit të atëhershëm të Kosovës Michael Steiner, Kuvendi i Kosovës zgjodhi Bajram Rexhepin kryeministrin e parë të Kosovës dhe Ibrahim Rugovën president të saj. Rexhepi ka qenë ministër i Punëve të Brendshme.

Në periudhën e fundit, Rexhepi kishte lënë politikën dhe i ishte kthyer profesionit si kirurg në spitalin rajonal të Mitrovicës.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu