Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, sot dha dorëheqje nga posti i tij brenda kësaj partie për shkak të shpalljes së zgjedhjeve të brendshme partiake.
Pak çaste më parë u raportua se Haradinaj dha dorëheqje nga posti i tij prej kryetari të kësaj partie dhe se deri në Kuvendin e ri të AAK’së do të jetë vetëm ushtrues detyre i kryetarit.
Në një deklaratë të tij, Haradinaj tha se nuk dihet nëse kandidon përsëri për të njëjtën pozitë, mirëpo edhe nëse e bën nuk ka një kundërkandidat, por 100 të tillë.
“Ne e kemi hapur votën në total, në këtë rast nëse kandidoj Ramush Haradinaj nuk e ka një kundërkandidat, por i ka 100 kundërkandidatë. Secili prej tyre nëse ja qet votën vetes edhe unë vetes i bie që të gjithë kemi votë të barabartë duhet të hymë në raund të dytë në raund të tretë e ku di unë”, ka thënë ai .
Haradinaj e ka cilësuar se gara për kryetar të ri të AAK’së do të jetë sfiduese, si për të ashtu edhe për të gjithë të cilët kandidojnë qoftë për kryetar të partisë apo i degës.
“100 anëtarë të Këshillit Drejtues përfshirë edhe mua e marrin votën për kryetar cilido që e merr një votë më shumë bëhet kryetar i partisë, ose i degës. Është një garë më sfiduesja e mundshmja, është e ngjashme si për asamble por edhe bartësi i listës është në vote”, ka përfunduar ai.
Kujtojmë se në korrik të vitit 2019, Haradinaj dha dorëheqje edhe nga posti i Kryeministrit, pasi që ishte ftuar nga Gjykata Speciale në Hagë si i dyshuar për krime të kryera gjatë luftës së fundit në Kosovë.