Arsyet përse duhet ta doni CR7-shin

Cristiano Ronaldo gëzon reputacionin e një mendjemadhi, por nuk është e drejtë të thuhet kjo.

Pos pagës javore prej 550 mijë eurosh te Juventusi, portugezi ka kontrata të mëdha sponsorizimi me kompanitë “Nike”, “Electronic Arts” e “Herbalife”, si dhe markën e tij të veshjeve “CR7”, ku përfshihen këpucët dhe të brendshmet.

Sukseset e tij vitet e fundit me Real Madridin dhe Juventusin kanë bërë që portugezi të jetë njëri prej sportistëve më të dekoruar në botë. I adhuruar nga tifozët e tij për aftësitë dhe sukseset, Ronaldo gjithashtu ka edhe një ushtri të kritikëve që urrejnë sjelljet e tij, shkruan “The Sun”, transmeton “Koha Ditore”. Sipas tyre, Ronaldo është i pasionuar pas vetes. Mirëpo, përderisa “armiqtë” e tij e përqeshin vazhdimisht, pak prej tyre dinë për aktivitetin e tij humanitar.

Më poshtë, janë disa nga arsyet se pse duhet adhuruar superylli portugez.

“Këpuca e Artë” evropiane për shkollat në Palestinë

Në vitin 2011, Cristiano Ronaldo e fitoi “Këpucën e Artë” të Evropës, pasi shënoi 40 gola për Real Madridin që atëbotë drejtohej nga Jose Mourinho. Në vend se këtë trofe ta mbajë në dhomën e tij, tashmë të stërmbushur me të tilla, Ronaldo zgjodhi të bëjë një veprim tjetër. Ai preferoi ta shiste atë për bamirësi. Të gjitha fondet nga shitja e “Këpucës së Artë” të Evropës, Ronaldo i dërgoi për ndërtimin e disa shkollave në Rripin e Gazës që ishin rrënuar nga lufta. Ronaldo trofeun e shiti për 1.5 milionë dollarë.

“Topi i Artë” për fëmijët e sëmurë

Ronaldo e përsëriti veprimin e shitjes së trofeve, pasi në tetor të vitit 2013, ai e nxori trofeun e “Topit të Artë” në një ankand në Londër për qëllime bamirësie. Mbrëmja gala e këtij ankandi gjeneroi të hyra të mëdha, të cilat Ronaldo i dedikoi për fëmijët e sëmurë në kuadër të një fondacioni. “Topi i Artë” i Ronaldos ia siguroi kësaj organizate hiç më pak se 700 mijë euro.

Ambasador i shumë organizatave bamirëse

Ronaldo vazhdon të përdorë famën e tij globale si forcë për bamirësi. Ai është ambasador në tri organizata të mëdha bamirëse: “Save the Children”, “Unicef” dhe “World Vision”. Ka edhe shumë organizata të tjera me të cilat bashkëpunon dhe numri i tyre është jashtëzakonisht i madh. Në fjalimin që e pati mbajtur kur fitoi “Topin e Artë” në vitin 2014, ai erdhi në një pikë kur përmendi një grup të fëmijëve me leukemi që i kishte takuar më herët.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu