As me republikanët, as me demokratët: Kriza e marrëdhënieve Kosovë – SHBA në qeverinë Kurti 1 dhe 2

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe qeveria e tij nuk po arrijnë assesi të gjejnë rrugë për t’i mbajtur stabile marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës as në herën e dytë në krye të shtetit.

Ishte një deklaratë e ditës së djeshme e zëdhënësit të qeverisë Kurti, Përparim Kryeziu ku ai deklaroi se po e përsërit në qëndrim të kahmotshëm të kryeministrit Kurti duke thënë se Marrëveshja e Washingtonit nuk ka vlerë juridike si dokument dhe se i mungon legjitimiteti.

Për ta përsëritur një qëndrim të kamotshëm të kryeministrit Kurti më duhet të them se së pari ai dokument nuk e ka vlerën dhe natyrën juridike të një marrëveshjeje për shkak se asnjë nuk është sjellë në Kuvend as për t’u diskutuar as për ta marrë mbështetjen e Kuvendit dhe si i tillë me të drejtë është quajtur si dokument me zotime të njëanshme të një Qeverie e cila në kohën e nënshkrimit të këtij dokumenti ishte pa legjitimitet dhe më pastaj në ndërkohë u pat vërtetuar se nuk gëzon ligjshmërinë e nevojshme për të qenë në Qeveri. Përtej asaj ne jemi në kontakt me ShBA-në për të punuar së bashku për temat të cilat kanë interes të përbashkët”. ka thënë Kryeziu.

Kjo deklaratë e tij ka ngjallur reagime të ashpra tek partitë opozitare në Kosovë të cilat madje kanë deklaruar se po rrezikohen marrëdhëniet midis Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Kreu i AAK’së, Ramush Haradinaj ka thënë se Kurti duhet të tërhiqet nga këto deklarata ose të marrë përgjegjësinë për krizën e marrëdhënieve midis Kosovës dhe SHBA’ve, ndërsa kreu i LDK’së, Lumir Abdixhiku ka qenë më i shkurtër në koment duke thënë për Kurtin dhe zëdhenësin e tij se aq dinë dhe aq flasin.

Por, një përplasje në distancë që u hesht shpejt kishte edhe para disa ditëve kur ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Philipp Kosnett deklaroi se historia nuk ka filluar me Albin Kurtin.

SHBA-ja beson se Kosova ka një detyrim për të formuar Asociacionin e Komunave Serbe. Historia nuk ka filluar në ditën kur u formua Qeveria e Albin Kurtit dhe ne besojmë se vendet kanë një detyrim të respektojnë marrëveshjet dhe detyrimet e ndërmarra më parë”, ka thënë Kosnett në një intervistë të tijën për Kontakt Plus.

Ndërsa këtij deklarimi të Kosnett me kundërshtim iu është përgjigjur kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i cili tha se nuk beson se mund të ketë asociacion mbi baza etnike.

Nuk mendoj që është e mundshme në rendin juridik dhe kushtetues të Republikës së Kosovës të ketë Asociacionin mbi baza etnike. Mund të ketë Asociacion të komunave mbi baza zhvillimore, mund të ketë mbi baza gjeografike, ta zëmë Asociacion të komunave të bjeshkëve të Rugovës, të maleve të Sharrit ose të lumit Lepenc, por Asociacion mbi bazë etnike nuk mund të kalojë sa i përket as frymës dhe as germës së Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe praktiktikisht një gjë të tillë e ka thënë edhe aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese, i publikuar më 23 dhjetor të vitit 2015”, tha ai.

Por, raportet mes Kosovës dhe SHBA-së, filluan të luhaten në fund të vitit 2018, por në veçanti u tendosën në fillim të vitit 2020, kur asokohe qeveria “Kurti I”, kishte refuzuar që të largonte tarifën doganore prej 100 për qind, për produktet me origjinë nga Serbia dhe Bosnja.

Dështimi për të larguar taksën, bëri që senatori amerikan, David Perdue, të kërkonte që SHBA-ja të rishqyrtonte praninë e saj ushtarake në Kosovë. Donald Trump Junior, djali i ish-presidentit të SHBA-së, Donald Trump, kishte mbështetur këtë deklaratë në Twitter, duke theksuar se “është koha që t’i kthejmë trupat në shtëpi”.

Mirëpo, tendosja më e madhe raporteve në mes të Kosovës dhe SHBA-së gjatë administratës së ish-presidentit Donald Trump, ishte acarimi i raporteve në mes të kryeministrit Albin Kurti si dhe emisarit special për dialogun Prishtinë-Beograd, Richard Grenell.

Por, tarifa nuk ishte problemi kryesor, edhe reciprociteti u shndërrua në një të tillë. Por, përplasja Kurti – Grenell zgjatii edhe më shumë. Ky i fundit tha se Kurti bën politika në kundërshtim me politikat e SHBA’së, ndërsa Kurti kishte thënë për Grenell së është “kauboj” i financave që s’do t’ia dijë për vuajtjet e Kosovës

SHBA e patën pezulluar Kosovën nga programi për ndihmë ekonomike. “Korporata e Sfidës së Mijëvjeçarit” të njohur si MCC. Pak javë më vonë, kishte rënë qeveria Kurti dhe udhëheqjen e shtetit e mori Avdullah Hoti i LDK-së.

Një ndër vendimet e para të qeverisë Hoti, ishte largimi i tarifës për produktet me origjinë nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina. Pas këtij veprimi, MCC-ja zhbllokoi programin e ndihmës për Kosovën. Ndërkohë, mbetet të shihet kësaj radhe se si qeveria Kurti do t’i menaxhojë kërkesat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu