Së pari, ajo që deputeti Ziadin Sela po e paraqet si “ankimim” të Ligjit “Safe City” pranë Gjykatës Kushtetuese, nuk është gjë tjetër veçse një nxitim për poentim politik, pas paralajmërimit publik të deputetëve të Aleancës për Shqiptarët se i njëjti ligj do të ankimohet sipas afateve dhe procedurave ligjore. Ky veprim i Ziadin Selës nuk përbën procedurë juridike të vlefshme, por një akt të pastër teatri politik për konsum ditor.
Së dyti, është fakt juridik i pakontestueshëm se ankimi në Gjykatën Kushtetuese mund të bëhet vetëm pasi ligji të dekretohet nga Presidenti dhe të shpallet në Gazetën Zyrtare. Çdo veprim para këtij momenti është juridikisht i pavlefshëm dhe pa asnjë efekt ligjor.
Së treti, mungesa e Ziadin Selës në seancën parlamentare dhe mosvotimi kundër ligjit, së bashku me njërin nga deputetët e tij, dëshmon qartë mungesë qëndrimi, përgjegjësie dhe koherence politike. Nuk mund të pretendosh se je kundër një ligji, ndërkohë që nuk merr pjesë në momentin vendimtar për ta ndaluar atë.
Ky është profili i njohur politik i Ziadin Selës: as këndej, as andej; as kundër, as pro; gjithmonë në pritje të ndonjë “kapixhiku” të hapur për qeveri.
Në fund, është domethënëse që Ziadin Sela nuk e tha asnjë fjalë kundër VLEN-it si votues dhe propozues i këtij ligji, as ndaj partnerëve të koalicionit të tyre, të cilët në Vrapçisht dhe Gostivar pësuan një debakël të qartë politik nga qytetarët, së bashku me Zijadinin dhe grupacionin e tij.
Aleanca për Shqiptarët – Arben Taravari










