Aleanca për Shqiptarët njoftoi se të hënën do ta kontestojë në Gjykatën Kushtetuese Ligjin për Kundërvajtje, që përfshin projektin “Safe City”, duke vlerësuar se ai është antikushtetues, diskriminues dhe juridikisht problematik. ASH thekson se zbatimi selektiv vetëm në Shkup, Kumanovë dhe Tetovë cenon parimin e barazisë dhe krijon trajtim të pabarabartë për qytetarët. Sipas Aleancës, ligji shkel edhe Ligjin për përdorimin e gjuhëve, pasi njoftimet dhe sanksionet nuk ofrohen në mënyrë të barabartë në gjuhën shqipe. Ata kërkojnë rishikim të gjobave, debat publik dhe korrigjim të mangësive, duke paralajmëruar se gjobat që hyjnë në fuqi nga 1 shkurti janë miratuar pa u adresuar këto shqetësime serioze kushtetuese.
“Pa asnjë llogari për mirëqenien e qytetarëve, dhe pa i adresuar këto mangësi serioze ligjore dhe kushtetuese, deputetët e VMRO-DPMNE-së, VLEN-it, ZNAM-it, Levicës, kanë votuar që nga 1 shkurti të hyjnë në fuqi gjobat që burojnë nga sistemi “Safe City”. Aleanca për Shqiptarët kërkon nga institucionet kompetente që urgjentisht të hapin debat publik, të korrigjojnë shkeljet evidente dhe të sigurojnë që çdo projekt i tillë të jetë në përputhje me Kushtetutën, ligjin dhe parimin e barazisë. Nisur nga kjo, Aleanca për Shqiptarët gjatë ditës së hënë do ta ankimojë Ligjin në Gjykatën Kushtetuese. Një rast i ngjashëm, që krijon precedent të qartë juridik, është ai i Ligjit për fëmijën e tretë, të cilin Gjykata Kushtetuese e shpalli antikushtetues. Atëkohë, qeveria e Nikolla Gruevskit synonte ta zbatonte këtë masë vetëm në disa qytete të caktuara, kryesisht me popullsi maqedonase, me arsyetimin e mungesës së natalitetit pozitiv. Gjykata Kushtetuese vlerësoi se një qasje e tillë selektive cenon parimin e barazisë dhe bie ndesh me Kushtetutën. Në këtë frymë, besojmë se edhe në rastin e “Safe City”, Gjykata Kushtetuese do të udhëhiqet nga dispozitat kushtetuese dhe do të abrogojë ndryshimet ligjore që janë në kundërshtim të drejtpërdrejtë me Kushtetutën e vendit”, thonë nga ASH-Taravari.










