Asnjë parti shqiptare pjesë e Qeverisë në Mal të Zi, nuk plotësojnë kërkesat shqiptare

Në Mal të Zi, Nik GJeloshaj, bartës i ‘Listës Shqiptare’ në zgjedhjet e fundit parlamentare dhe njëherësh kryetarë i komunës së Tuzit, ka bërë të ditur se ky grupim politik refuzon hyrjen në qeverinë e re malazeze. Në një prononcim për televizionin e Malit të Zi, Gjeloshaj tha se ata nuk mund të merrnin përgjegjësinë për të qenë pjesë e një koncepti të këtillë qeverisës. Media në Podgoricë thotë se arsye për këtë tërheqje është mospërmbushja e kushteve për të qenë pjesë e kabinetit të kryeministrit Zdravko Krivokapiq.

‘Lista Shqiptare’ paraprakisht i kishte dorëzuar kryeministrit të ardhshëm malazez një dokument prej 20 kushtesh për të qenë pjesë e qeverisë. Në krye të tyre është kërkesa për investime, të paktën pesë përqind e buxhetit shetëror, në mjediset e banuara me shqiptarë; decentralizimi i pushtetit qendror në fushën e planifikimit hapësinor, zhvillimit, shkollimit, shëndetësisë, e policisë duke rritur njëherësh edhe ingjerencat e pushtetit lokal. Po ashtu, është kërkuar edhe rishikimi procesit të privatimizim në komunën e Ulqinit si dhe ndryshim-plotësime të ligjit zgjedhor me të cilin do të garantoheshin mandate për minoritetet, përfshirë këtu dhe shqiptarët.

Përfaqësuesi i ‘Listës Shqiptare’, Nik Gjeloshaj, i ka deklaruar televizionit të Malit të Zi, mëngjesin e së martës, se për ta nuk kanë qenë me rëndësi postet, por koncepti i qeverisë dhe kërkesat për përmirësimin e cilësisë së jetesës të shqiptarëve në këtë vend.

Më herët, edhe grupimi tjetër politik shqiptar kishte refuzuar të jetë pjesë e kabinetit të ri qeverisës i cili pritet të formohet deri në fund të muajit.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu