Atifete Jahjaga do të flasë në Beograd për gratë e dhunuara gjatë luftës në Kosovë

Atifete Jahjaga, Presidente e Kosovës në periudhën 2011-2016, do të jetë pjesë edicionit të katërt të festivalit “Mirëdita Dobar Dan” në Beograd.

Jahjaga ka marrë lejen e shtetit serb për futje brenda territorit ndërsa do të jetë e pranishme në promovimin e librit “Dua të dëgjohem: libri i kujtimeve me tregime të grave që kanë përjetuar dhunë në luftën e fundit në Kosovë”.

Jahjaga do të flasë para të pranishmëve mbi gratë e dhunuara e të torturuara në luftën e fundit në Kosovë, ndërsa është e para e këtij kalibri politik që futet në Serbi dhe së cilës i jepet leja për të vizituar Serbinë.

Ngjarja do të mbahet në ditën e tretë të festivalit në Qendrën për Dekontaminim Kulturor. Festivali në fjalë fillon me 31 maj dhe do të zgjasë deri me 3 qershor. KultPlus do të jetë i pranishëm në Festival dhe gazetarja jonë do të sjellë informacione nga kjo ngjarje dhe ngjarjet tjera që do të ndodhin në ditët e festivalit.

Jahjaga, sipas burimeve të KultPlus, është në formim të një fondacioni i cili mes tjerash do ti ndihmojë edhe këtyre grave të cilat kanë pësuar fizikisht, e më pas edhe mentalisht në luftën e fundit në Kosovë. Jahjaga është vazhdimisht një zë i fuqishëm për të ndihmuar këto gra dhe fjalimet e saj shpesh fokusohen tek dhuna ndaj grave por edhe tek gratë që pësuan në luftën që zhvilloi Serbia në Kosovë.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu