Ministria e Punëve të Jashtme e Azerbajxhanit ka kritikuar vizitën e kryediplomatit armen, Ara Aivazian, në Malësinë e Karabakut, duke e quajtur atë “ilegale“. Ministria azerbajxhanase tha se vizita e kryediplomatit armen dhe nënshkrimi i disa “dokumenteve” në Malësinë e Karabakut kundërshton deklaratën trepalëshe të nënshkruar midis Rusisë, Azerbajxhanit dhe Armenisë më 10 nëntor të vitit të kaluar.
Dje, Aivazian vizitoi Malësinë e Karabakut dhe u takua me të ashtuquajturit administratorë atje. “Ne duam të kujtojmë se kryeministri armen nënshkroi deklaratën më 10 nëntor. Shkelja e këtyre angazhimeve nga Yerevan-i zyrtar është një provokim“, tha ministria azerbajxhanase.
Në deklaratën e saj, ministria po ashtu tha se lëvizje të tilla janë marrë për audiencë të brendshme dhe nuk i shërbejnë normalizimit të situatës në rajon. “Zyrtarët armenë nuk duhet të veprojnë bazuar në iluzione të pabazuara”, tha ministria, duke shtuar se ata duhet të pranojnë realitetin e ri që u shfaq në rajon.
Siç theksohet në deklaratë, garantimi i zbatimit të marrëveshjes së 10 nëntorit, marrja e hapave bazuar në formatin e ri të sigurisë dhe mundësitë e bashkëpunimit të shfaqura në rajon mund të kontribuojnë në bashkëjetesën paqësore dhe të sigurt, në të kundërtën “nuk është asnjë tjetër përveç një përpjekje për të nxitur tensionin“.
Çlirimi i Malësisë së Karabakut
Marrëdhëniet midis dy ish-republikave sovjetike, Armenisë dhe Azerbajxhanit, kanë qenë të tensionuara që nga viti 1991, kur ushtria armene pushtoi Malësinë e Karabakut, i njohur ndërkombëtarisht si territor azerbajxhanas. Kur përplasjet e reja shpërthyen më 27 shtator të vitit të kaluar, ushtria armene filloi sulmet ndaj civilëve dhe forcave azerbajxhanase, si dhe shkeli disa marrëveshja humanitare të armëpushimit.
Gjatë konfliktit 44-ditor, Azerbajxhani çliroi disa qytete dhe pothuajse 300 vendbanime dhe fshatra nga pushtimi pothuajse tre-dekadësh. Pavarësisht marrëveshjes së 10 nëntorit, të nënshkruar për t’i dhënë fund konfliktit, sipas ushrisë së Azerbajxhanit ushtria armene disa herë shkeli marrëveshjen dhe martirizoi disa ushtarë azerbajxhanas dhe një civil.
Armëpushimi u konsiderua si një fitore për Azerbajxhanin dhe një humbje për Armeninë, forcat e armatosura të së cilës janë tërhequr në përputhje me marrëveshjen.









