Azizi: Po bisedojmë me deputetë të AKI-së për t’u bashkuar me VLEN-in

Në një paraqitje në “Debat21”, deputeti i VLEN-it, Adnan Azizi, ka deklaruar se po zhvillohen bisedime intensive me disa deputetë të Alternativës për ndryshim (AKI), të cilët, sipas tij, janë të zhgënjyer nga partitë e tyre aktuale dhe po konsiderojnë t’i bashkohen koalicionit VLEN.

Azizi tha se bëhet fjalë për 3 deri në 4 deputetë, por nuk preferoi të zbulojë emra në këtë fazë. Ai theksoi se procesi pritet të konkretizohet pas përfundimit të zgjedhjeve lokale në Gostivar dhe Vrapçisht, ku VLEN synon të forcojë pozicionin e vet.

“Po, ne kemi bisedime me deputetë të cilët janë të zhgënjyer nga subjektet përkatëse. Edhe personale i kam kontaktuar disa prej kolegëve të mi. Ata nuk e arsyetojnë qëndrimin e partive të tyre dhe narrativën aktuale të politikëbërjes,” tha Azizi.

I pyetur drejtpërdrejt nëse bëhet fjalë për deputetë të AKI-së, ai konfirmoi:

“Po, nga AKI. Besoj se me ta do ta finalizojmë hapin konkret që të jenë pjesë e Qeverisë dhe të na bashkëngjiten neve.”

Sipas Azizit, grupi parlamentar i VLEN-it pritet të zgjerohet menjëherë pas zhvillimeve zgjedhore dhe negociatave që tashmë janë në proces.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu