Bajrami: Serbët i keqpërdorën të drejtat, të ndërrohet Kushtetuta

“Kushtetuta e Kosovës është hartuar mbi bazën e dy kompromiseve të mëdha, njëra në favor të shqiptarëve, ndërsa tjetra në favor të serbëve, por këta të fundit i keqpërdorën të drejtat e garantuara, prandaj Kushtetuta duhet ndërruar duke respektuar çdo procedurë”, ka thënë ministri Arsim Bajrami, gjatë një intervistë për “Ekonomia Online”.

“Kushtetuta jonë ka dy kompromise të mëdha njëri është në favor të shqiptarëve si shtet formues edhe si popull shumicë duke përcaktuar pavarësinë dhe duke njohur pavarësinë si realitet dhe kompromisi tjetër është duke i dhënë të drejtat pakicave, të drejta të papara përtej atyre që sot i njeh edhe Konventa Evropiane për të Drejta të Njeriut”, ka thënë ai.

Ai pranon se nëntë vjet pas hartimit është treguar që pakicat, e sidomos komuniteti serb i ka keqpërdorë këto të drejta duke bllokuar shtetin e Kosovës.

“Ne duhet të mendojmë që Kushtetuta duhet të përditësohet, por duhet të jemi të vetëdijshëm që ndërrimi i kushtetutës kërkon respektimin e procedurës.

Pra, nuk mund të bëhet më një referendum siç po dëgjoj. Referendumi nuk është i lejueshëm për kushtetutën tonë por duhet të bëhet në bashkëpunim me pakicat në mënyrë që të bëhet edhe mbështetja e tyre, sepse po duket një proces shumë i vështirë sidomos me realitetin aktual tek serbët e Kosovës, ku ata janë të përcaktuar rreth një liste të përbashkuar, listë kjo e cila kontrollohet tërësisht nga qeveria e Beogradit”, ka thënë ai.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu