Mjeku Zekerija Shaini, i cili u plagos gjatë ditës së djeshme në një nga zonat e frekuentuara të qytetit të Kumanovës, është liruar nga spitali dhe tashmë ndodhet në kurim shtëpiak. Ai ishte i shtruar në repartin e Kirurgjisë Plastike në Klinikën “Nënë Tereza” në Shkup.
Pas lirimit, Shaini ka reaguar për herë të parë lidhur me ngjarjen, duke e cilësuar atë si një tentim vrasje dhe sulm të pabesë nga persona të maskuar. Ai ka kërkuar që rasti të mos politizohet dhe të mos lidhet me ndonjë përplasje politike, duke theksuar se nuk ka armiqësi me askënd.
“Dje u godita në pabesi nga persona të maskuar. Dua t’ju siguroj se unë nuk kam hak ndaj askujt, e as nuk i kam prekur kujt familjen apo nderin – për këtë e kam dëshmitar vetëm Zotin. Jemi në periudhë fushate zgjedhore, por nuk dua që kjo ngjarje të marrë ngjyrime politike. Nuk kam armiqësi politike me askënd. Lus organet e rendit që ta zbardhin këtë rast sa më shpejt që të jetë e mundur”, deklaroi Shaini.