Bayern Munich kërkon të afrojë në skuadër talentin francez të Rennes, Eduardo Camavinga. Futbollisti, sipas asaj që shkruan France Football, i ka bindur bavarezët. Gjatë muajve të fundit ata e kanë ndjekur dhe verën që po vjen janë gati ta transferojnë. Ajo që u ka bërë përshtypje kampionëve të Europës është pjekuria e lojtarit të kombëtares së Francës, si dhe pozicionimi i tij në fushë.
Ata mendojnë se Camavinga mund të zëvendësojë më së miri spanjollin Javi Martinez, i cili në fund të sezonit do të largohet si lojtar i lirë. Problemi kryesor është çmimi dhe Rennes kërkon 50 milion euro për kartonin e tij. Nëse ndodh ta paguajnë këtë shumë bavarëzët, Camavinga do bëhej adoleshenti më i shtrenjtë që kanë blerë gjermanët. Në të shkuarën të rinjtë e blerë për shifra të larta nuk është se kanë shkëlqyer te Bayern Munich, por mesfushori francez i bind se këtë herë do të jetë ndryshe.









