Nga BDI njoftojnë se deputetët e Aleancës Kombëtare për Integrim -Frontit Europian, kanë dorëzuar në procedurë parlamentare Propozim-Rezolutën për respektimin e standardeve të procesit të rregullt ligjor në gjykimin ndërkombëtar ndaj ish-krerëve të institucioneve të Republikës së Kosovës, përcjell TV21.
Integristët theksojnë se rezoluta riafirmon përkushtimin ndaj shtetit të së drejtës, pavarësisë së gjyqësorit dhe respektimin e plotë të të drejtave themelore të njeriut. Nëpërmjet kësaj nisme parlamentare kërkohet që proceset gjyqësore që po zhvillohen pranë Dhomave të Specializuara të Kosovës të zhvillohen në përputhje të plotë me standardet më të larta ndërkombëtare, duke garantuar prezumimin e pafajësisë, mbrojtjen efektive dhe gjykimin brenda një afati të arsyeshëm për të gjithë të akuzuarit. Rezoluta, ndër të tjera, vlerëson kontributin e udhëheqësve institucionalë dhe të pjesëtarëve të luftës çlirimtare të Kosovës në proceset e paqes, stabilitetit dhe integrimit euroatlantik të rajonit, duke theksuar se drejtësia ndërkombëtare duhet të jetë e paanshme, profesionale dhe e pavarur nga çdo ndikim politik. Deputetët nënshkrues u bëjnë thirrje të gjithë deputetëve të Kuvendit, pa dallim përkatësie politike, që t’i bashkohen kësaj nisme dhe ta mbështesin Rezolutën me votë./tv21.tv










