Jozyrtarisht, si rrugëdalje të mundshme nga bllokada e mbledhjes konstituive të Kuvendit, në BDI janë duke menduar të propozojnë organizimin e takimi eventual të liderëve, shkruan Gazeta Dnevnik. Ky opsion është i papranueshëm për LSDM-në. Merret vesh s BDI sot në Reçicë të Vogël do të mbajë takim për dalje të mundshme nga situate dhe për zgjedhje të kryetarit të Kuvendit, transmeton Gazeta Lajm.
Për LSDM-në dhe për BDI-në nuk është e pranueshme as zgjidhja që këtyre ditëve e kanë aktualizuar Lëvizja Besa dhe disa analistë, si tejkalim të mundshëm të bllokadës së Kuvendit.
Sugjerohet që BDI të dalë nga qeveria, të izolohet VMRO-DPMNE-ja dhe Kuvendi të debatojë për dorëheqjet e ministrave të BDI-së. Mirëpo dilema është se sa mbajnë këto propozime, sepse ministrat e BDI-së, sikurse e tërë qeveria, janë në dorëheqje që nga shpërndarja e Kuvendit, që do të thotë se duhet të japin dorëheqje ministra të cilët veçmë kanë dhënë dorëheqje dhe për ta të debatohet në Kuvend. Për këtë është prononcuar përbërja e kaluar parlamentare, me vetë aktin e shpërndarjes.
“Dorëheqjet e ministrave të BDI-së pashmangshëm çojnë drejt zgjedhjeve të parakohshme. Ne mendojmë se zgjedhjet nuk janë zgjidhje. Në rast se ministrat tonë dalin nga qeveria, pozitat e tyre do t’i marrin zëvendës/ministrat nga radhët e VMRO-DPMNE-së dhe kjo në mënyrë plotësuese do ta thellojë krizën institucionale, duke i lënë shqiptarët pa përfaqësues në institucione”, ka deklaruar zëdhënësi i BDI-së, Bujar Osmani.