Eurokomisionerja për zgjerim Marta Kos hodhi poshtë idenë e Aleksandar Vuçiqit dhe Edi Ramës për hyrjen e Serbisë dhe Shqipërisë në zonën Schengen dhe në Bashkimin Evropian pa anëtarësim të plotë, duke theksuar se standardet për një hap të tillë janë po aq të rrepta sa për vetë anëtarësimin.
Komisionerja për Zgjerim e Bashkimit Evropian, Marta Kos, deklaroi se vendet aspirante nuk mund të përfitojnë nga integrimi në tregun e përbashkët apo në zonën Schengen pa përmbushur reformat e thella që kërkohen për anëtarësim të plotë në BE, përcjell INA.
“Pyetja është nëse liderët janë të vetëdijshëm se sa shumë duhet të arrijnë për t’u bërë pjesë e Schengen-it apo të tregut të përbashkët,” tha Kos, duke komentuar propozimin e bërë nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Në një artikull për gazetën gjermane Frankfurter Allgemeine Zeitung, Rama dhe Vuçiq kishin shprehur pakënaqësi për ritmin e ngadaltë të integrimit evropian, duke përmendur sfidat e reformave të brendshme, tensionet gjeopolitike dhe kufizimet institucionale. Ata propozuan që vendet e tyre të përfshihen në tregun e përbashkët dhe në zonën Schengen pa të drejta të plota politike apo të drejtën e vetos që gëzojnë shtetet anëtare.
Kos e refuzoi këtë ide, duke theksuar se Bashkimi Evropian nuk do të bëjë kompromise për reformat, edhe në kuadër të modeleve të integrimit gradual.
Duke folur në një samit për konkurrueshmërinë e Evropës të organizuar nga Politico, ajo gjithashtu vlerësoi se synimi i Ukraina për anëtarësim në BE deri në vitin 2027 është “i pamundur”, ndërsa Islanda mund të përbëjë një “rast të veçantë” dhe të përparojë më shpejt nëse rifillon negociatat.
Komisionerja për Zgjerim shtoi se Bashkimi Evropian duhet të rishikojë rregullat e procesit të zgjerimit dhe u bëri thirrje shteteve anëtare të paraqesin planet e tyre, pas refuzimit të disa propozimeve të mëparshme të Komisionit për reformimin e këtij procesi./INA/








