Bashkimi Europian ka prezantuar një plan të ri për të ushtruar presion mbi Izraelin që të ndalë luftën në Gaza.
Plani përfshin tarifa tregtare dhe sanksione ndaj zyrtarëve të lartë izraelitë, si dhe ndaj grupit Hamas.
Shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas, tha se masat parashikojnë tarifa për mallra izraelite me vlerë 5.8 miliardë euro dhe sanksione ndaj ministrave Itamar Ben Gvir e Bezalel Smotrich.
Ajo theksoi se qëllimi nuk është ndëshkimi i Izraelit, por përmirësimi i situatës humanitare në Gaza dhe lirimi i pengjeve.
Nëse miratohet nga vendet anëtare, paketa do të pezullojë menjëherë rreth 32 milionë euro fonde dypalëshe për Izraelin. Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, përsëriti thirrjen për armëpushim dhe një zgjidhje me dy shtete.
Nga ana tjetër, ministri i jashtëm izraelit, Gideon Sa’ar, e kritikoi planin, duke akuzuar BE-në se po forcon grupet terroriste. Reagime ka pasur edhe nga Vatikani, ku Papa Leoni XIV bëri thirrje për armëpushim dhe respektim të ligjit ndërkombëtar.
Ky zhvillim vjen në një kohë kur Izraeli ka nisur një ofensivë tokësore në Gaza, duke thelluar krizën humanitare në rajon.