Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Marrëdhëniet e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Josep Borell tha të dielën se Rusia nuk dëshiron të “shfrytëzojë rastin” për të pasur një dialog konstruktiv me bllokun, ndërsa sinjalizoi sanksione të reja ndaj këtij vendi.
Josep Borell i bëri komentet e tij pasi ai vizitoi Moskën në datat 4-6 shkurt, një udhëtim që ai e quajti të komplikuar dhe ku ai kishte diskutuar marrëdhëniet “shqetësuese BE-Rusi“.
Shefi i politikës së jashtme të BE-së tha se lidhjet janë përkeqësuar më tej me arrestimin e [opozitarit rus] Alexey Navalny, si dhe me arrestimin e mijëra demonstruesve që e mbështesin atë.
Synimi i kësaj vizite, e cila u realizua në prag të samitit të BE-së që do të mbahet në mars, ishte trajtimi i marrëdhënieve që po përkeqësohen me shpejtësi,- tha Borrell the shtoi: “Konferenca e shtypit, e organizuar në mënyrë agresive, dhe dëbimi i tre diplomatëve nga vendet e BE-së gjatë vizitës time në Rusi tregojnë se autoritetet ruse nuk dëshirojnë ta vlerësojnë mundësinë e një dialogu më konstruktiv me BE-në. Situata nuk ishte e papritur, megjithatë, është për të ardhur keq edhe nëse e shikojmë “nga një perspektivë strategjike ruse“.
Borrell tha se blloku dhe Rusia kanë mosmarrëveshje për shumë çështje, duke përfshirë Bjellorusinë, Ukrainën, Gjeorgjinë, Sirinë dhe Libinë.
Marrëdhëniet BE-Rusi,- vijoi Borrell,- do të diskutohen në një takim të ministrave të jashtëm të BE-së më 22 shkurt dhe tha se vendet anëtare do të vendosin për hapat e ardhshëm, të cilat mund të përfshijnë sanksione.
“Nëse duam një botë më të sigurt për nesër, duhet të veprojmë me vendosmëri sot dhe të jemi gati të ndërmarrim disa rreziqe,” tha ai.









