David Beckham, pronari i skuadrës amerikane të Inter Miami, është pranë nënshkrimit me mbrojtësin 33-vjeçar ekuadorian Antonio Valencia. Ky i fundit do të largohet nga Manchester United, pasi më 30 qershor i skadon kontrata me “djajtë”.
Valencia luan me United që prej vitit 2009, ku në 339 ndeshje ka realizuar edhe 35 gola. Një legjendë e kësaj skuadre, ku ka fituar edhe 2 titujt kampionë në Premier League në kohën kur skuadra drejtohej nga Alex Ferguson.
Gjithsesi, trajneri aktual Solskjaer nuk e ka përfshirë në planet e së ardhmes, duke mos i rinovuar kontratën. Ndërsa Beckham e konsideron si të rëndësishëm lojtarin, me shumë përvojë në arenën ndërkombëtare, për të nisur debutimin në MLS sezonin e ardhshëm.
Valencia, mbrojtës i krahur të djathtë, ka deklaruar se mund të luajë ende në nivele të larta për 2-3 sezone të tjera dhe duket se karrierën mund ta përfundojë në Amerikë. Skuadra e Beckham i ka bërë një ofertë, tashmë pritet përgjigjja e lojtarit, i grumbulluar në kombëtare.