Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, pritet të zhvillojë një vizitë zyrtare në Republikën e Maqedonisë së Veriut në ditët në vijim, në kuadër të së cilës janë paraparë takime institucionale në nivel të lartë dhe aktivitete me karakter diplomatik, shkruan gazeta KOHA.
Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Shkup ka bërë të ditur se, në emër të Presidentit Begaj, është përcjellë kërkesa për organizimin e një takimi në ambientet e Parlamentit me kryetarët e partive parlamentare shqiptare.
Sipas njoftimit, bëhet fjalë për një veprim tërësisht institucional, në përputhje me protokollin diplomatik dhe praktikën e zakonshme të organizimit të takimeve gjatë vizitave të nivelit të lartë shtetëror.
Nga Ambasada theksojnë se çdo interpretim që i atribuon këtij procesi motive apo qëllime të tjera përtej atyre zyrtare është i pabazë, duke nënvizuar përkushtimin ndaj korrektësisë institucionale, transparencës dhe respektit për të gjitha palët politike dhe institucionale në vend.
Sqarimi i Ambasadës Shqiptare vjen pasi mbrëmë, kryetari i BESËS, Bilall Kasami në emisionin Click Plus tha se “ambasadori Meidani ka tentuar ta takojë me kryetarin e BDI-së, Ali Ahmeti”.
Ndryshe, vizita e presidentit shqiptar Begaj pritet të zhvillohet në një periudhë të ndjeshme politike, me debate të theksuara rreth çështjeve që lidhen me të drejtat e shqiptarëve, bashkëpunimin rajonal dhe proceset integruese evropiane.










