Bejta: Ja pse i hyra garës për Gostivarin?

Screenshot

Kandidati i koalicionit VLEN për kryetar të Komunës së Gostivarit, Nevzat Bejta, ka konfirmuar rikthimin e tij në garën lokale, duke theksuar se synimi i tij nuk është politika, por puna konkrete dhe menaxhimi i përgjegjshëm i komunës.

Në një intervistë për televizionin Alsat, Bejta deklaroi se vendimi për rikthim lidhet me projektet dhe punët e realizuara gjatë dy mandateve të tij të mëparshme në krye të komunës. Ai përmendi ndërtimin e urës mbi lumin Vardar, rrugën lidhëse Simnicë–Novosellë, hapjen e rrugës “18 Nëntori” për lehtësimin e komunikacionit urban, si dhe rrugën lidhëse Vrapçisht–Çegran.

“Edhe shumë punë të tjera madhore na presin pas fitores më 11 janar”, u shpreh Bejta.

Duke folur për garën zgjedhore, Bejta tha se përballja në Gostivar zhvillohet mes tij dhe kryetarit aktual Arben Taravari, të cilin e akuzoi për keqmenaxhim financiar dhe mungesë projektesh konkrete. Sipas Bejtës, në komunë janë shpenzuar mbi 30 milionë euro pa rezultate të dukshme, ndërsa borxhet janë rritur.

Ai paralajmëroi se, në rast fitoreje, do të nisë një revizion të plotë financiar, duke e cilësuar atë si të pashmangshëm.

“Po rikthehem në komunë jo për politikë, por për të punuar me ndershmëri dhe dinjitet. Synimi im është rikthimi i shkëlqimit në arsim, kulturë, sport dhe realizimi i investimeve madhore”, tha Bejta./INA/


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu