Bekim Qoku: Amnistimi i Grubit është alarm kombëtar! BDI po gëlltit partitë e vogla dhe po normalizon tradhtinë

Deputeti i VLEN-it, Bekim Qoku, ka reaguar ashpër ndaj zhvillimeve të fundit politike, duke theksuar se parimi i prezumimit të pafajësisë duhet të respektohet në çdo sistem me demokraci liberale, por pa u bërë mburojë përballë akuzave serioze.

Sipas tij, nuk mund të injorohen akuzat që vijnë nga autoritetet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, një partner historik i shqiptarëve. Qoku përmendi bashkëpunimin e pretenduar të Artan Grubi me Sasho Mijallkov, si dhe rolin e mundshëm në shmangien e vuajtjes së dënimit me burg dhe në parashkrimin e lëndëve të Nikolla Gruevski.

“Të heshtësh përballë këtyre fakteve nuk i shërben së vërtetës dhe interesit publik. Ata që e duan vërtet popullin e tyre nuk mund të relativizojnë tradhtinë. Adhurimi i tradhtisë është mohim i atdhedashurisë”, theksoi Qoku, duke shtuar se “amnistimi kaq i shpejtë është frymëzues për bashkëpunime të tilla”.

Në reagimin e tij, deputeti i VLEN-it ngriti edhe një analizë më të gjerë politike, duke theksuar se partitë e vogla, të zhveshura nga ideologjia dhe kauzat e mëdha, bien lehtë pre e partive të mëdha dhe të organizuara. Ai vlerësoi se disa subjekte që kanë hyrë në koalicion me Bashkimi Demokratik për Integrim nuk i kanë bërë mirë llogaritë.

Sipas tij, simpatizantët dhe aktivistët e këtyre partive, të mësuar për vite të tëra të vepronin kundër BDI-së, sot janë “asimiluar pothuajse plotësisht” brenda saj.

Qoku theksoi se reagimet pas arrestimit të Grubit tregojnë një “konvertim radikal” të qëndrimeve të disa strukturave satelite, duke e cilësuar këtë si dëshmi të fuqisë absorbuese politike të BDI-së në skenën shqiptare në Maqedoninë e Veriut. (INA)


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu