Maqedonia e Veriut këtë vit do të kryesojë me Marrëveshjen për Tregti të Lirë të Evropës Qendrore (CEFTA), ndërsa me këtë rast ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi dhe ambasadori i Bashkimit Evropian në Shkup, David Geer i prezantuan prioritetet për vitin 2021 për CEFTA-n nën kryesimin e Maqedonisë së Veriut.
Ministri Bekteshi tha se është kënaqësi të prezantojë kryesimin e sivjetmë të Republikës së Maqedonisë së Veriut me CEFTA-n veçmas në vitin kur janë në fillimin e implementimit të dokumentit strategjik që në masë të madhe do të ndikojë në zhvillimin ekonomik në rajon, gjegjësisht bashkëpunimin rajonal në Ballkanin Perëndimor si dhe bashkëpunimin ekonomik me BE-në.
“Kryesimi vjen në momentin e fillimit me implementimin e Planit aksional të Tregut të përbashkët rajonal që u miratua në Sofje në nëntor të vitit 2020 dhe në realizimin e së cilës marrin pjesë CEFTA dhe Këshilli rajonal për bashkëpunim. Zbatimi i Marrëveshjes së CEFTA-s dhe aktiviteteve të parapara në Planin aksional të Tregut të përbashkët rajonal 2021-2024 do të jenë bazat për kryesimin e Maqedonisë së Veriut me CEFTA-s”, tha Bekteshi.
Siç sqaroi ministri, shtylla kryesore e kryesimit të Maqedonisë së Veriut me CEFTA-n është tregtia.
“Kjo shtyllë ka për qëllim lehtësimin e lëvizjes së lirë të mallrave, kapitalit, shërbimeve dhe njerëzve mes vendeve të CEFTA-s me qëllim që të mundësohet prosperiteti dhe mirëqenia për të gjithë qytetarët tanë”, theksoi Bekteshi.
Prioritetet e kryesimit të Maqedonisë së Veriut me CEFTA-n në vitin 2021 kanë të bëjnë me lëvizjen e lirë të mallrave, tregtinë e lirë me shërbimet, heqjen e pengesave në tregtinë me mallra dhe shërbimet, protokollin shtesë 7 për zgjidhjen e kontesteve si dhe zhvillimin institucional të strukturave të CEFTA-s.
“Aktivitetin të cilin e imponoi pandemia sigurisht është vazhdimi i funksionimit të korridoreve të gjelbra për transitim më të lehtë të mallrave në rajon si dhe për zgjerimin e këtyre korridoreve drejt vendeve fqinje të BE-së”, shtoi Bekteshi.
Euroambasadori David Geer tha se kryesimi me CEFTA-n i jep Maqedonisë së Veriut mundësi për përparim të konsiderueshëm në shumë sfera.
“Plani ekonomik-investues dhe CEFTA ndajnë qëllim të përbashkët: më mirë t’i integrojnë ekonomikisht vendet e Ballkanit Perëndimor, mes vete dhe me BE-në. Plani po ashtu vë theks të fuqishëm mbi ndërtimin e tregut të përbashkët rajonal si mënyrë për rritjen e konkurrentshmërisë së vendeve të Ballkanit Perëndimor”, tha euroambasadori Geer në adresimin e tij.
Po ashtu, ambasadori Geer shtoi se ndërtimi i tregut të përbashkët për 18 milionë njerëz është një kthesë për Ballkanin Perëndimor që të integrohet edhe më shumë në tregun e përbashkët të BE-së para vetë integrimit në Bashkimin Evropian.
Ai shtoi se integrimi ekonomik rajonal nuk është as alternativë, as heqje dorë nga integrimi i vendeve të rajonit në BE.









