Berisha kërcënon socialistët: 20 shkurti është fundi juaj! Qytetarët do t’ju groposin në Lanë!

Kreu Demokrat Sali Berisha u ka bërë thirrje qytetarëve për t’u mobilizuar më 20 shkurt në protestën e radhës të opozitës, duke paralajmëruar se kjo datë do të shënojë fundin e imuniteteve të politikanëve që ai i konsideron hajdutë.

Nga foltorja e kuvendit, kreu demokrat akuzoi qeverinë dhe parlamentin për korrupsion dhe shkelje të rëndë të Kushtetutës, duke theksuar se qytetarët janë të vetmit që mund të rivendosin drejtësinë dhe ligjin. Sipas tij parlamentin është kthyer në mburojë të hajdutëve shtetërorë dhe instrument i shërbimit të krimeve të qeverisë.

“Po mbroni hajdutë. Edi Rama është i dënuar nga shqiptarët. 10 shkurti e dëshmoi. 20 shkurti do jetë fundi juaj. 20 shkurti është dita kur shqiptarët përmbysin tiranitë, ndaj dhe ftoj qytetarët shqiptarë t’ua groposin në Lanë këto imunitete hajdutëve, dhe bashkë me ta edhe hajdutët. Parlamenti është i sovranit. Parlamentin do e mbrojnë qytetarët”, deklaroi Berisha.

Ai akuzoi qeverinë për vjedhje të fondeve publike dhe për mosrespektim të nevojave bazë të qytetarëve, duke përmendur humbjen e jetëve nga Covid-19 për shkak të mungesës së ilaçeve dhe mbështetjes.

“Qytetarë dhe qytetare, çdo minutë që kalon është një poshtërim për ju. Është një shpërfillje e tmerrshme që parlamenti u bën ju, sepse bën parzmoren e atyre që kanë vjedhur ju gjer në palcë. Bën parzmoren e Edi Ramës dhe Ballukut që kanë depozituar miliardat, ndërkohë që njerëzit tuaj ndërrojnë jetë në spitale pa ilaçe”.

Kujtojmë se protesta e radhës e PD-së do të mbahet më 20 shkurt, që është data e rrëzimit të shtatores së diktatorit Enver Hoxha. Berisha tha se do të ketë një kryengritje paqësore e cila nuk do të ndërpritet deri në çlirimin e Shqipërisë nga narko-diktatura.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu