Fjalimi i Sali Berishës sot në çadrën që ka ngritur opozita në bulevard, e që mbushi plot 20 ditë, ka qenë me shumë nënkuptime dhe paralajmërime për aleatët e PD-së që të mos tradhëtojnë “kauzën” e protestës.
Në fjalën e tij ai tha disa herë një gjysëm vargu të himnin kombëtar “Nga lufta veç ai largohet…”, ku më pas vargu plotësohet nga paraardhësi ”…që është lindur tradhëtor”.
Për kë ta ketë Berisha këtë paralajmërim?! Ai po fliste për betejën e opozitës kur e përdori këtë varg nga himni dhe dukej qartë se i drejtohej atyre që janë në një varkë me opozitën dhe betejën e saj.
“Ne jemi shumë më të fortë, sepse mbrojmë një kauzë të drejtë. Ne kemi një armë të fortë, të tmerrshme për kundërshtarët tanë, një armë e cila pas lutjes tek Zoti është thirrja e dytë e çdo shqiptar “Nga lufta veç ai largohet”. Ne jemi burra dhe gratë që nuk largohemi kurrë nga lufta. Ne do vazhdojmë luftën, do vazhdojmë betejën, do ecim drejt fitores. Mbaje mend Edi Rama! Ju bëj thirrje qytetarëve shqiptarë që çdo darkë, çdo mëngjes, pasi t’i luten Zotit le të kujtojnë apelin e himnit “Nga lufta veç ai largohet”. Fitorja është e sigurtë, fitoren e bekon Zoti. Askush nuk mund të na mposhtë ne në këtë mision. U bëj thirrje shqiptarëve në të katër anët e vendin le të skuqin Shqipërinë me flamurin e kombit, flamuri ka nevojë sot më shumë se kurrë të valëvitet dinjitoz krahas flamujve të tjerë jo si flamur krimi, korrupsioni, flamur droge, ku e katandisi ky kryebandit”, tha Berisha.
Më tej ai quajti mafiozë ata që janë kundër opozitës duke e shtrirë akuzën e tij dhe përtej kufinjve të Shqipërisë.