Pak orë para nisjes së protestës së opozitës, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u bëri apel të gjithë qytetarëve të bashkohen sot në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” kundër kryeministrit Edi Rama.
Duke hequr paralele me 20 shkurtin e vitit 1991, kur qytetarët rrëzuan shtatoren e diktatorit komunist Enver Hoxha, Berisha ftoi qytetarët të bashkohen për të rrëzuar qeverinë e drejtuar nga kryeministri Edi Rama.
“Ftesa ime për mbarë shqiptarët, në një uragan të fuqishëm që Tirana nuk e ka parë nga viti 1991, të bashkohemi për të firmosur së bashku fundin e këtij regjimi dhe fitoren e të ardhmes sonë”, tha Berisha.
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, iu kundërpërgjigj edhe policisë, e cila sot sqaroi se nuk merr përsipër mbarëvajtjen e tubimit për shkak të molotovëve që janë përdorur në protestat e kaluara.
“Protesta është paqësore dhe ne e kemi platformë”, shtoi Berisha.
Po a do të hidhen molotovë sot në protestën e Partisë Demokratike?
“Tani, këto që thoni ju, nuk i organizon PD. Pse shihni ju ato inskenimet e Ilirjan Prodës, që i përgatisin në zyrat e policisë dhe i japin si foto, nuk i ha kush ato. Në protestën e fundit ishte policia që hidhte mjete piroteknike kundër opozitës”, tha Berisha.
Ndërkaq, kryetari i PD, Sali Berisha, shmangu komentet për pjesëmarrjen e kryeministrit Edi Rama në ceremoninë e Bordit të Paqes.
“Siç e panë të gjithë shqiptarët. E panë. Kaq mund të them. Nuk kishte. Atë mund të them. Ishte takim ndërkombëtar i Bordit të Paqes, Shqipëria në hallin e saj të madh nuk kishte me kë të përfaqësohej, pasi Harami është skllav i Edi Ramës, shkoi Edi Rama dhe ju e patë vetë”, tha ai.
Protesta e opozitës sot në orën 18:00 shënon protestën e katërt kombëtare kundër kryeministrit Edi Rama./vizionplus.tv










