“Beteja e Dytë e Çairit: Izet Mexhiti vs Bujar Osmani – Kush do të përballet me Ahmetin në rundin final?”

Për një kohë të gjatë brenda BDI-së zhvillohej një garë e heshtur, por e ashpër, mes Izet Mexhitit dhe Artan Grubit. Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, kishte zgjedhur ta promovojë Grubin si “playmaker”-in kryesor të fushatave zgjedhore dhe të betejave politike të partisë, duke anashkaluar gjithnjë e më shumë Mexhitin.

I pakënaqur me zhvillimet brenda partisë, Mexhiti vendosi të largohet nga BDI-ja dhe të formojë Lëvizjen Demokratike. Ky hap u kurorëzua me sukses në zgjedhjet parlamentare të fundit, ku ai arriti ta mposht plotësisht strukturën e BDI-së në bastionin e saj më të fortë – Çairin. Ishte një fitore simbolike dhe politike, që paralajmëroi fundin e një epoke brenda partisë më të madhe shqiptare në vend.

Ndërkohë, Artan Grubi, i cili kishte zënë një nga pozicionet më të larta në pushtet, pësoi një goditje të dyfishtë: jo vetëm që humbi kontrollin në Çair, por më pas u rrëzua edhe më thellë politikisht pas shpalljes së tij “non grata” nga SHBA. Me të marrë lajmin, Grubi u nis për një “vizitë familjare” në Kosovë, por nuk u kthye më, duke ngritur dyshime për shmangie nga drejtësia.

Tani, Çairi bëhet sërish arenë për një betejë të madhe politike – këtë herë mes Izet Mexhitit si lider i Lëvizjes Demokratike dhe Bujar Osmanit, kandidatit potencial të BDI-së. Kjo përballje nuk do të jetë thjesht një garë për kryetar komune – do të jetë një betejë ekzistenciale për të dy politikanët, e cila pritet të përcaktojë të ardhmen e tyre në skenën politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut.

Nëse Mexhiti fiton sërish Çairin, ai do të fitojë jo vetëm një bastion, por legjitimitetin për të sfiduar personalisht edhe vetë Ali Ahmetin – një betejë e tretë që tashmë po konturohet në horizont. Dhe aty, më shumë se kush do fitojë, do të jetë pyetja: kush do të pensionohet?


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu