Si presidenti i zgjedhur Joe Biden ashtu edhe presidenti në largim Donald Trump mbajtën tubime të hënën në shtetin e Xhorxhias, ku dy gara balotazhi të martën do të përcaktojnë nëse republikanët apo demokratët do të kenë kontrollin e Senatit në Shtetet e Bashkuara. Rezultati i garave për Senatin do të ndikojë në mënyrë dramatike tek funksionimi i legjislativit në gjysmën e parë të mandatit katër-vjeçar të zotit Biden në Shtëpinë e Bardhë.
Zoti Biden tha në një tubim në Atlanta të hënën se votuesit në Xhorxhia “do të përcaktojnë drejtimin, jo vetëm për katër vitet e ardhshme, por për brezin e ardhshëm”. Ai tha se banorët e Xhorxhias kishin votuar në numër rekord në zgjedhjet presidenciale në nëntor, duke i dhënë atij një fitore të ngushtë në shtet.
“Tani, ne kemi nevojë që të votoni përsëri në numër rekord”, tha ai. Presidenti Trump ishte në qytetin Dalton, një bazë republikane në pjesën veriore të shtetit për një tubim në mbrëmje në mbështetje të senatorëve republikanë David Perdue dhe Kelly Loeffler. “Është e pamundur të kemi humbur Xhorxhian. Unë mora pjesë në dy zgjedhje. I fitova të dyja”, i tha presidenti Trump turmës.
Zoti Trump pretendoi përsëri se zgjedhjet e nëntorit ishin “të manipuluara” dhe i nxiti Republikanët të “vërshonin” në votime të martën. “Demokratët po përpiqen të grabisin Shtëpinë e Bardhë, nuk mund t’i lejoni. Thjesht nuk mund t’i lejoni të grabisin Senatin amerikan, nuk mund të lejoni që kjo të ndodhë”.
Ndërkohë ai ka vazhduar sulmet kundër zyrtarëve të Xhorxhias për refuzimin e përmbysjes së humbjes së tij të ngushtë ndaj zotit Biden në këtë shtet në zgjedhjet e 3 nëntorit. Zoti Biden bëri fushatë për dy demokratët, Jon Ossoff, një producent dokumentarësh televiziv që po përballet me Senatorin Perdue, dikur nje drejtues ekzekutiv biznesi dhe reverendin Raphael Warnock, një prift Baptist që po përballet me senatoren Loeffler, një nga ligjvënëset më të pasura në Shtetet e Bashkuara.
Sondazhet tregojnë se dy demokratët kanë një epërsi të lehtë në balotazhet që u bënë të domosdoshme sepse asnjë nga katër kandidatët nuk fitoi shumicën e nevojshme në votimet e nëntorit.









