Biden: Sanksionet ndaj Iranit nuk do të hiqen deri sa të ndalojë punimet e pasurimit të uraniumit

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) Joe Biden ka njoftuar se ata nuk do të heqin sanksionet ndaj Iranit derisa të ndalojë punimet e pasurimit të uraniumit. Joe Biden dha intervistën e tij të parë televizive për kanalin “CBS” më 20 janar pasi mori presidencën.

Në seksionin e intervistës lidhur me Iranin, Biden u prononcua edhe për marrëveshjen bërthamore.
Në pyetjen se “A do t’i heqin Shtetet e Bashkuara sanksionet së pari për ta sjellë Iranin në tryezën e negociatave?“, Biden u përgjigj duke thënë: “Fillimisht ata duhet t’i ndërpresin punimet e pasurimit të uraniumit”.

Administrata e Bidenit ka njoftuar më herët se ka ndërmend të kthehet në marrëveshje bërthamore me Iranin nëse “plotësohen disa kushte”.

Udhëheqësi i Iranit, Ajatollah Ali Hamanei, ka thënë se Shtetet e Bashkuara duhet së pari të heqin të gjitha sanksionet që vendi i tij të përmbushë angazhimet që dalin nga marrëveshja bërthamore.

Në përgjigje të një deklarate të fundit nga Presidenti i SHBA Joe Biden, i cili kërkoi të ndalen punimet e pasurimit të uraniumit për të hequr sanksionet, Ali Hamanei tha nëpërmjet llogarisë së tij në rrjetin social Twitter, “Ne kemi vendosur kushtin dhe ai nuk do të kthehet prapa“.

Ministri i Jashtëm iranian Mohammad Jawad Zarif tha në një emisionin televiziv se ata nuk do të rinegociojnë marrëveshjen bërthamore me Shtetet e Bashkuara. “Irani i përmbahet marrëveshjes bërthamore dhe ne jemi të interesuar që Shtetet e Bashkuara të kthehen në marrëveshje“, tha ai.

Në vitin 2015 Irani dhe Shtetet e Bashkuara, Kina, Franca, Gjermania, Rusia dhe Britania nënshkruan një marrëveshje me të cilën rregulloheshin dhe mbikëqyreshin aktivitetet bërthamore të Teheranit.

Pas zgjedhjes së Donald Trump si President, Shtetet e Bashkuara u tërhoqën në mënyrë të njëanshme nga marrëveshja më 8 maj 2018 dhe filluan të vendosnin sanksione mbi Iranin përsëri.

Në përgjigje të sanksioneve, Teherani më 5 janar 2020 ndërpreu plotësisht angazhimet e tij që rrjedhin nga marrëveshja dhe hodhi hapa të shumta për pasurimin në nivel të lartë të uraniumit.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu