Kandidati për kryetar të komunës së Tetovës nga koalicioni VLEN, Bilall Kasami, është shprehur i bindur se rezultati i garës tashmë është vendosur dhe se balotazhi do të jetë vetëm një formalitet.
Në një intervistë në emisionin “Këndi i Debatit”, Kasami tha se në raundin e parë të zgjedhjeve janë regjistruar mbi 2,400 vota të pavlefshme, të cilat sipas tij nuk do të kenë ndikim në raundin e dytë.
“Në raundin e parë ka pasur mbi 2,400 vota të pavlefshme. Kjo ka ndodhur sepse një pjesë e komunitetit maqedonas, për shkak të baltosjes së figurës së kandidatit tjetër, nuk kanë dashur të votojnë për të. Megjithatë, ata kanë dalë për të votuar për listën e këshilltarëve dhe, duke qenë të detyruar të marrin edhe fletën për kryetar, votat e tyre janë bërë të pavlefshme”, deklaroi Kasami.
Ai shtoi se në balotazh këto vota nuk do të njihen, nuk do të numërohen dhe nuk do të kenë efekt në rezultatin përfundimtar. Sipas tij, kjo e bën të qartë se fitorja e tij në Tetovë është e sigurt, pavarësisht se procesi zgjedhor formalisht do të vazhdojë me raundin e dytë.(INA)