Bilall Kasami merr “kosën” në dorë

Në një skenë jo të zakonshme për politikën lokale, kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, është parë sot duke kositur barin në një park të qytetit, duke marrë vetë në dorë një makinë kositëse për të dhënë shembull konkret për mirëmbajtjen e hapësirave publike.

Ky veprim i papritur i kryetarit Kasami është pritur me interes të madh nga qytetarët, duke gjeneruar reagime të shumta në rrjete sociale. Me veshje të thjeshtë pune dhe vendosmëri në fytyrë, ai u pa duke punuar krahas punëtorëve komunalë, në një përpjekje për të treguar se puna për qytetin nuk njeh hierarki.

“Qyteti jonë është i yni të gjithëve, dhe nuk ka punë më të vogël apo më të madhe kur është fjala për të kontribuar për mjedisin e përbashkët,” tha Kasami gjatë aktivitetit.

Veprimi simbolik vjen në kohën kur Komuna e Tetovës ka nisur një fushatë intensive për pastrimin dhe gjelbërimin e qytetit, si pjesë e projektit për rritjen e cilësisë së jetës urbane dhe ndërgjegjësimit qytetar për mbajtjen pastër të hapësirave publike.

Ky gjest ka ndezur debat: a është ky populizëm apo model udhëheqës i denjë për t’u ndjekur?

Në çdo rast, Kasami duket se e ka zgjedhur rrugën e shembullit personal – me kosë në dorë dhe bar të kositur pas vetes./INA/


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu