Blej shtëpi, merr pasaportë: Këto vende kanë një ofertë të pazakontë – por me një kusht

Pesë shtete ishullore – Antigua dhe Barbuda, Dominika, Grenada, Saint Kitts dhe Nevis, si dhe Saint Lucia – ofrojnë nënshtetësi nëpërmjet investimeve, zakonisht përmes blerjes së pasurive të paluajtshme me vlerë minimale 200,000 dollarë amerikanë.

Këto vende lejojnë nënshtetësi të dyfishtë, dhe pasaportat e tyre ofrojnë qasje pa vizë në deri 150 shtete në mbarë botën, përfshirë zonën Schengen dhe Mbretërinë e Bashkuar (përjashtohet Dominika). Numri më i madh i të interesuarve vjen nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku pasiguria politike dhe sociale ka rritur kërkesën për të ashtuquajturën “pasaportë e sigurt”.

Investitorët tërhiqen jo vetëm nga liria e lëvizjes, por edhe nga lehtësimet fiskale: në shumë raste, nuk ka taksë mbi fitimet kapitale, trashëgiminë apo të ardhurat. Edhe pse shumica e blerësve nuk planifikojnë të zhvendosen, gjithnjë e më shumë amerikanë po blejnë prona për të pasur një “Plan B”.

Programet janë shumë fitimprurëse për ekonomitë lokale – në disa raste përbëjnë deri në 30% të PBB-së – por kanë shkaktuar shqetësime ndërkombëtare.

Bashkimi Evropian dhe SHBA kanë paralajmëruar për rreziqet e pastrimit të parave dhe kërcënimeve për sigurinë, ndaj vendet ishullore kanë vendosur kontrolle më të rrepta, intervista të detyrueshme dhe një organ mbikëqyrës të përbashkët.

Pavarësisht debatit, gjithnjë e më shumë njerëz e shohin “blerjen e pasaportës” si një biletë drejt një të ardhmeje më të sigurt dhe më të qëndrueshme, shkruan BBC.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu