Blinken: SHBA s’do të hezitojë t’i përgjigjet agresionit rus

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, i tha homologut rus, Sergei Lavrov, se administrata e presidentit të Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, nuk do të hezitojë t’i përgjigjet Rusisë për agresionin ndaj SHBA-së ose aleatëve të saj.

“Sekretari Blinken përsëriti vendosmërinë e presidentit Biden për të mbrojtur qytetarët amerikanë dhe interesat e SHBA-së, në përgjigje të veprimeve ruse, që na dëmtojnë ne ose aleatët tanë”, tha zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Ned Price, pas bisedës telefonike që Blinken zhvilloi me Lavrovin.

Blinken dhe Lavrov pritet të takohen për herë të pare, ballë për ballë, javën e ardhshme, në margjina të një samiti në Reikiavik.

Dy zyrtarët do të diskutojnë për “çështjet kryesore të marrëdhënieve të ndërsjella dhe agjendën ndërkombëtare”, gjatë takimit të planifikuar për 20 maj, tha të mërkurën Ministria e Jashtme ruse.

Departamenti amerikan i Shtetit e konfirmoi po ashtu datën.

Është e paqartë nëse dy zyrtarët do të diskutojnë për një takim të mundshëm midis presidentit amerikan, Joe Biden, dhe atij rus, Vladimir Putin.

Biden ka sugjeruar më herët që takimi mund të mbahet në një vend të tretë, por Putin nuk e ka komentuar ende publikisht.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu