“Bloomberg”: Pas takimit me liderët evropianë, Trump i kërkoi Orbanit të heqë veton për anëtarësimin e Ukrainës në BE

Presidenti amerikan Donald Trump zhvilloi të hënën një bisedë telefonike me kryeministrin hungarez Viktor Orban, për ta bindur të mbështesë anëtarësimin e Ukrainës në Bashkimin Evropian, raportoi mbrëmë “Bloomberg”, duke cituar burime të afërta me bisedën.

Telefonata erdhi pas takimit në Shtëpinë e Bardhë mes Trumpit dhe liderëve evropianë, ku ishte i pranishëm edhe presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky. Përfaqësuesit evropianë i kërkuan Trumpit të përdorte marrëdhëniet e tij të afërta me Orbanin, që ky i fundit të hiqte veton ndaj aspiratës së gjatë të Kievit për t’u anëtarësuar në BE.

Hungaria ka shprehur gatishmërinë të jetë nikoqire e një samiti të ardhshëm, ku do të marrin pjesë Zelensky dhe presidenti rus Vladimir Putin. Trump ka mbështetur idenë për një takim të tillë, që sipas planit do të pasohej nga një tryezë trepalëshe mes tij, Putinit dhe Zelenskyt. Ende nuk është përcaktuar koha dhe vendi i mundshëm i takimit. Gazeta “Politico” njoftoi se po shqyrtohet Budapesti si opsion për këtë takim.

Orbán, i njohur për lidhjet e tij të ngushta me Putinin, ka tentuar shpesh të bllokojë ose të vonojë financimin evropian për armatimin e Ukrainës, si dhe vendosjen e sanksioneve ndaj Kremlinit. As Shtëpia e Bardhë dhe as zyra e Orbánit nuk kanë komentuar mbi telefonatën. Në një deklaratë në Facebook, kryeministri hungarez theksoi se anëtarësimi i Ukrainës në BE “nuk ofron garanci sigurie” dhe se “lidhja e këtij procesi me çështje sigurie është e panevojshme dhe e rrezikshme”.

Në të njëjtën ditë, Trump zhvilloi edhe një bisedë telefonike 40-minutëshe me Putinin, pa praninë e liderëve evropianë apo të Zelenskyt. Takimi i tij me zyrtarët evropianë dhe Zelenskyn në Washington pasoi disa ditë pas takimit që Trump, sekretari i Shtetit Marco Rubio dhe i dërguari i posaçëm Steve Witkoff zhvilluan me Putinin në Alaskë.

Rubio aktualisht kryeson një komision të ri të përbashkët, të përbërë nga përfaqësues të SHBA-së, BE-së, Ukrainës dhe NATO-s, i cili do të hartojë një propozim për garanci sigurie për Kievin.

Trump, që ka këmbëngulur për përfundimin e luftës trevjeçare e gjysmë mes Rusisë dhe Ukrainës, ka paralajmëruar se SHBA është e gatshme të ofrojë ndihmë ushtarake ajrore si pjesë e garancive të mundshme.

“Ne jemi të përgatitur t’i ndihmojmë me shumë gjëra, veçanërisht, me shumë gjasa, përmes ajrit, sepse askush nuk ka atë që kemi ne”, deklaroi presidenti amerikan.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu