Blushi: Haradinaj do të lirohet por Kosova nuk do jetë më ajo që është sot

Deputeti i LIBRA-s, Ben Blushi, u është bashkuar reagimeve të politikës shqiptare kundër arrestimit të kreut të AAK-së Ramush Haradinaj nga autoritetet francize.

Përmes një statusi në Facebook Blushi shpreh bindjen se Haradinaj do të lirohet dhe nuk do të ekstradohet për në Serbi.

Sipas Blushit, ish-Komandanti i UÇK-së po paguan çmimin e Kosovës demokratike, që për fat të keq shumë shtetet nuk e shohin si të tillë.

Postimi në Facebook i Ben Blushit:

CMIMI QË PO PAGUAN RAMUSH HARADINAJ

Arrestimi i Ramush Haradinaj në Francë nuk është një vendim Gjykate por është dëshmi e Kohëve që po ndryshojnë. Ndalimi i tij i papritur nuk ështe një pagesë ndaj të shkuarës, por është një cmim mbi të ardhmen. Jam i bindur që Ramushi do të lirohet por çështja është çfarë ndodh në Kosovë dhe në rajon në vitet që vijnë. Natyrisht kjo ngjarje do ketë ndikim në politikën e brendshme në Prishtinë, në sentimentet e kosovarëve ndaj Europës të cilat po dobësohen përditë duke i lenë hapësirë ekstremeve ideologjike dhe atyre fetare.

Pavarësisht të gjithave, Kosova do mbetet e pavarur, por çështja është çfarë drejtimi do kete demokracia e saj dhe mbi të gjitha çfarë cilesie. Ne vende të vogla ndryshimi i Kohës Politike ka efekte të Mëdha. Kosova nuk bën përjashtim.Demokracia dhe Liria nuk janë një dhuratë e përjetshme.Ato duhet ti fitosh perditë. Lirinë e sjellin clirimtarët si Ramushi,por Demokracinë e mbajnë demokratët që sot në Kosovë janë pakicë.

Kur Ramushi të lirohet, Kosova nuk do jetë më ajo që është sot.Ka shumë vende të Botës që e kanë pranuar Kosovën si nje vend i pavarur, por nuk janë gati ta njohin si një shoqëri demokratike. Ky është cmimi që po paguan Ramushi. Kosova duhet ti jetë mirënjohëse!


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu