Japonia ngriti në ajër avionë luftarakë për të monitoruar forcat ajrore ruse dhe kineze, të cilat po kryenin patrullime të përbashkëta mbi hapësirën ajrore përreth vendit. Lajmi u konfirmua mbrëmjen e djeshme (9 dhjetor) nga Ministria japoneze e Mbrojtjes, në një kohë kur tensionet mes Tokios dhe Pekinit janë në rritje.
Sipas ministrisë, dy bombardues strategjikë rusë Tu-95 me kapacitet bërthamor fluturuan nga Deti i Japonisë drejt Detit të Kinës Lindore, ku u bashkuan me dy bombardues kinezë H-6 për të kryer një patrullim të përbashkët të gjatë në Oqeanin Paqësor. Më pas, katër avionë luftarakë kinezë J-16 iu bashkuan formacionit teksa ai kaloi mes ishujve japonezë Okinawa dhe Miyako, në një korridor ajror që konsiderohet ujëra ndërkombëtare.
Japonia raportoi gjithashtu aktivitet paralel të forcave ajrore ruse në Detin e Japonisë, ku u identifikuan një avion paralajmërues A-50 dhe dy avionë luftarakë Su-30.
Ministri japonez i Mbrojtjes, Shinjiro Koizumi, deklaroi në një postim në X se operacionet e përbashkëta ruso-kineze “kishin qartësisht qëllim të demonstronin forcë kundër vendit tonë, gjë që përbën një shqetësim serioz për sigurinë kombëtare”. Ai shtoi se avionët japonezë zbatuan në mënyrë rigoroze masat e identifikimit të mbrojtjes ajrore.
Ndërkohë, agjencitë ruse të lajmeve raportuan se patrullimi i përbashkët pranë Japonisë zgjati tetë orë, duke cituar Ministrinë e Mbrojtjes së Moskës. Ushtria e Koresë së Jugut njoftoi po ashtu se shtatë avionë rusë dhe dy kinezë kishin hyrë në zonën e saj të mbrojtjes ajrore të martën.
Të dielën, Japonia akuzoi avionët luftarakë kinezë, të nisur nga aeroplanmbajtëse, se kishin drejtuar radarët e tyre ndaj avionëve japonezë një ditë më parë — një pretendim që Pekini e mohoi.
Përshkallëzimi i veprimeve ushtarake të Kinës pranë Japonisë vjen pas deklaratës së kryeministres japoneze Sanae Takaichi muajin e kaluar, e cila tha se Tokio mund të përgjigjet ndaj çdo veprimi ushtarak kinez kundër Tajvanit që do të rrezikonte sigurinë e Japonisë.
Në vitet e fundit, Kina dhe Rusia kanë forcuar ndjeshëm bashkëpunimin e tyre ushtarak, duke zhvilluar operacione dhe stërvitje të përbashkëta, përfshirë një ushtrim kundër raketave në territorin rus dhe manovra detare me zjarr të vërtetë në Detin e Kinës Jugore.










