“Epoka e re”: Z. Vinca, Maqedonia ka mbajtur zgjedhjet e parakohshme parlamentare, por u bënë dy muaj dhe ende s’kemi formim të qeverisë së re. Qëndrimet e palëve, partive maqedone dhe partive shqiptare, konkretisht BDI-së me partnerët e saj tashmë janë të ditura. Si e shihni ecurinë e situatës në përpjekjet për ndërtimin e institucioneve, apo tejkalimi i saj janë zgjedhjet e reja?
Vinca: Zgjedhjet parlamentare të 11 dhjetorit në Maqedoni sollën një rezultat të tillë, që në njëfarë dore i faktorizon shqiptarët e defaktorizuar tmerrësisht shumë në këto vitet e fundit. Për herë të parë dy partitë kryesore maqedonase në Republikën e Maqedonisë: VMRO-DPMNE-ja e Nikolla Gruevskit dhe Lidhja Socialdemokrate (LSDM-ja) e Zoran Zaevit nuk janë në gjendje ta formojnë qeverinë pa bërë koalicion me partitë shqiptare. E para ka 51, kurse e dyta 49 deputetë, ndërsa duhen 61 për ta pasur shumicën e thjeshtë në parlament.
Kaluan dy muaj, kemi hyrë në të tretin, kurse formimi i qeverisë së re, nuk duket as në horizont. Të gjitha opsionet janë të mundshme: koalicioni i partive shqiptare, në radhë të parë i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), që ka 10 mandate, me “aleatin” e saj të vjetër, Gruevskin; koalicioni i BDI-së, i Aleancës për Shqiptarët dhe eventualisht edhe i Besës me LSDM-në, por edhe zgjedhjet e reja parlamentare si rrugë për daljen nga kriza. Nuk përjashtohet as ndonjë kompromis, që mund të vijë si rezultat i ndërhyrjes së ndërkombëtarëve.
“Epoka e re”: Gruevski si mandatar për formimin e qeverisë së re u tregua i vendosur që të mos pranojë kushtet e partive shqiptare, sidomos kushtin që gjuha shqipe të jetë zyrtare në Maqedoni. Pra opsioni i parë i BDI-së për bashkëqeverisje me VMRO-në dështoi. A mendoni se mund të bëhet koalicion i BDI-së me LSDM-në, që doli forca e dytë politike në Maqedoni?
Vinca: Presidenti i Maqedonisë, mandatoi, siç dihet, partinë që doli e para në zgjedhje, VMRO-DPMNE-në, për ta formuar qeverinë. As pas njëzet ditë bisedimesh të dy partive fituese: VMRO-DPMNE-së dhe BDI-së, që e kanë qeverisur bashkë Maqedoninë një kohë të gjatë, nuk u arrit marrëveshja për formimin e qeverisë së re. Gruevski refuzoi kërkesat që dalin nga Deklarata e përbashkët e partive politike shqiptare, ndër të cilat kryesoret janë: zyrtarizimi i gjuhës shqipe në nivel shtetëror, demokracia koncensuale për çështjet me interes etnik-kombëtar dhe zhvillimi i barabartë rajonal, që nënkupton shpërndarjen e drejtë të buxhetit shtetëror, në krijimin e të cilit shqiptarët marrin pjesë me një përqindje të madhe. Në Deklaratë përmendet edhe ndriçimi i procesve gjyqësore të rasteve të njohura me emrat: “Sopoti”, “Brodeci”, “Monstra” dhe “Kumanova”, si dhe miratimi, nga Kuvendi i Maqedonisë, i një rezolute “me të cilën dënohet gjenocidi ndaj popullit shqiptar në Maqedoni në periudhën 1912-1956”. Nuk e kuptoj, nuk e kam të qartë se përse hartuesit e Deklaratës janë ndalur pikërisht te viti 1956 dhe aq më pak mospërmendjen në këtë kontekst të apartheidit të viteve ’80. Si ka mundësi të harrohet ai diskrimim dhe poshtërim i paparë që u është bërë shqiptarëve në Maqedoni nga viti 1981 deri në fund të viteve ‘80?
Por t’i kthehem pyetjes suaj, e ajo ka të bëjë me koalicionet e mundshme të partive shqiptare me ato maqedonase.
GRUEVSKI REFUZOI KËRKESAT E SHQIPTARËVE
Në një intervistë televizive të ditëve të fundit, kryetari i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski, u deklarua hapur kundër zyrtarizimit të gjuhës shqipe. Sipas tij, shqipja nuk mund të barazohet me maqedonishten, sepse maqedonasit përbëjnë 65% të popullsisë, kurse shqiptarët vetëm 25%. Serbishtja mund të jetë gjuhë zyrtare në Kosovë, edhe pse serbët përbëjnë 5-6% të popullsisë së përgjithshme, kurse shqipja nuk mundeshka të jetë gjuhë zyrtare në Maqedoni, edhe pse shqiptarët përbëjnë gati një të tretën e popullsisë së përgjithshme! Shqiptarëve nuk u pengon maqedonishtja, kurse maqedonasit nuk mund ta durojnë shqipen: u dhembin sytë kur shohin ndonjë fjalë shqipe në rrugë, në institucione, në vende publike. Serbët e Kosovës nuk e njohin shtetin e Kosovës, edhe pse gjuha e tyre figuron edhe në logon Republikës së Kosovë, kurse shqiptarët e Maqedonisë janë luajalë ndaj saj, por ky luajalitet u kthehet me pabarazi e diskriminim. E shihni çfarë absurdi?
“Epoka e re”: Si shpjegohet ky refuzim?
Vinca: Albanofobia në Maqedoni është jo vetëm e fortë, por edhe patologjike. Sipas disa sondazheve, shqiptarët janë populli më i padëshiruar për maqedonasit, para grekëve, serbëve dhe bullgarëve, që ua mohojnë atyre: emrin (të parët), gjuhën dhe kulturën (bullgarët) dhe kishën (serbët). Shqiptarët janë të vetmit fqinj të tyre, që ua njohin maqedonasve edhe gjuhën, edhe kombësinë, edhe shtetin, edhe emrin, por vazhdojnë të jenë më të urryerit! Nuk ka vit që në Manastir të mos sulmohet Shtëpia e Alfabetit nga “huliganët”. Kudo në Maqedoni sheh parulla: “Vdekje shqiptarëve!”. Si shpjegohet kjo? Kush e nxit këtë disponim antishqiptar? Politika, në radhë të parë, e përkrahur fort nga media, por edhe paragjykimet e ngulitura thellë në ndërgjegjen e popullit që e identifikon veten me shtetin “e rrezikuar” nga shqiptarët, të masës së manipuluar.
“Epoka e re”: Tjetër?
Vinca: Në intervistën e liderit të VMRO-DPMNE-së, Gruevskit, bien në sy edhe teza djallëzore: se në fushatën kundër tij në Maqedoni qenkan inkuadruar edhe “hoxhallarët” dhe se marrëveshja e partive politike shqiptare qenka nënshkruar në një shtet të huaj! Së pari, kleri shqiptar në Maqedoni tradicionalisht ka qenë proqeveritar, edhe në ish-Jugosllavi, edhe më vonë, por Gruevski përmend “hoxhallarët” për t’i paraqitur shqiptarët para botës si “fundamentalistë islamikë” dhe për ta komprometuar kauzën e tyre. E dyta, “marrëveshje e nënshkruar në një shtet të huaj”, aluzion te takimi i liderëve politikë shqiptarë të Maqedonisë me kryeminstrin Rama. (Të themi, a propos, se Edi Rama është i vetmi kryeministër i Shqipërisë në këta 25 vjet, që ka manifestuar sjellje dinjitoze në raport me fqinjët: serbët, grekët, maqedonasit). Por harron Gruevski se ky shtet, Republika e Shqipërisë, ka qenë tepër dashamirës ndaj shtetit të tij, madje herë-herë edhe në dëm të interesave të Shqipërisë si shtet dhe të shqiptarëve si komb. Në Zvicër, në zemër të Evropës, mund të jenë zyrtare katër gjuhë, gjuhët e katër entiteteve që e përbëjnë shtetin helvetik: gjermanishtja, frëngjishtja, italishtja e, madje, edhe retoromanishtja e një grupi të vogël etnik (shihni bankënotat e monedhës zvicerane, frangut), kurse në Maqedoninë e Gruevskit dhe të mbështetësve të tij fanatikë nuk mund të jetë zyrtare gjuha e 25% të popullsisë, gjuha shqipe! Çfarë logjike është kjo? Çfarë burrështetasi na qenka ky?
“Epoka e re”: Shqiptarët më në fund kanë krijuar një koalicion të qëndrueshëm dhe kanë vendosur interesat e qytetarëve shqiptarë në Maqedoni para atyre partiake. A mendoni se kjo platformë e shqiptarë do të mbetet unike në realizimin e kërkesave të tyre?
Vinca: Uroj që ky koalicion të jetë vërtet i qëndrueshëm dhe shpresoj të jetë i tillë, nëse prapa tij nuk fshihet përpjekja e ndonjë subjekti politik, veçanërisht e BDI-së për t’u rehabilituar në sy të elektoratit të vet për dështimet spektakolare gjatë qeverisjes me Gruevskin. (Mjafton të përmendim, fjala vjen, projektin megaloman maqedonas me kosto të lartë financiare, “Shkupi 2014”, pastaj skandalin me Enciklopedinë e Akademisë Maqedonase të Shkencave dhe Arteve, procesin monstruoz me emrin “Monstra”, “luftën” misterioze të Kumanovës, ku humbën jetën aq njerëz dhe u shkatërrua një lagje e tërë e banuar me shqiptarë etj. etj.). Por konsideroj se do mbështetur kjo marrëveshje dhe të gjitha ata që ua duan të mirën shqiptarëve në Maqedoni duhet të kërkojnë që ajo të respektohet pikë për pikë nga nënshkruesit e saj: Bashkimi Demokratik për Integrim, “Rilindja me Besë” dhe “Aleanca për Shqiptarët”, duke kërkuar jo vetëm forma adekuate, por edhe afate të caktuara për realizminin e kërkesave të arsyeshme të shqiptarëve.
“Epoka e re”: Profesor, kriza në Maqedoni peng i kujt është?
Vinca: Kriza në Maqedoni është peng i partive politike, i njerëzve që janë në krye të shtetit, në radhë të parë ish-kryeministrit Gruevski. Thonë se ai dhe njerëzit e tij i kanë futur thellë thonjtë në të gjitha institucionet e shtetit dhe se i mbajnë peng ato, duke u paraqitur para popullit të vet si mbrojtës të interesave nacionale, prapa të cilave fshihen interesat materiale të pushtetarëve, jo vetëm nga radhët e maqedonasve, por edhe të shqiptarëve. Kryetari i shtetit, Ivanovi, një njeri pa integritet, është vegël në duart Gruevskit, marionetë e tij. Ali Ahmeti dhe partia e tij, Bashkimi Demokratik për Integrim, për mungesë të kapacitetit politik dhe intelektual, por edhe për shkak të infiltrimit të profiterëve të shumtë në radhët e kësaj partie, është bërë patericë e pushtetit të korruptuar e nacionalist të Gruveskit, këtij diktatori të vogël të Ballkanit.
Sa ishin në qeveri (vazhdojnë të jenë akoma) “bëdëistët” thoshin se gjuha shqipe është “gjuhë zyrtare” dhe se shqiptarët kanë realizuar të drejta të shumta etnike pas ardhjes së tyre në krye të shtetit, formalisht, si pjesëtar të koalicionit qeveritar, por realisht jo edhe në vendimmarrje, sepse në fakt ata në momente vendimtare nuk i pyet kush për asgjë, ndërsa tani i urti Ali Ahmeti jep deklarata euforike me dofarë “bombash” e “fitilësh”, të cilat mund të prodhojnë pak tym propagandistik, por nuk besoj ta frikësojnë kënd, e aq më pak të kenë farë efekti praktik.
“Epoka e re”: A është zgjidhje ardhja në pushtet e partisë tjetër maqedonase, LSDM-së?
Vinca: Nuk kam iluzione se drejtuesit e LSDM-së janë më proshqiptarë se ata të VMRO-DPMNE-së, por ata janë thellësisht të interesuar ta mposhtin rivalin e tyre politik dhe të kthehen në pushtet pas një kohe të gjatë në opozitë. E këtë, siç dihet, për shkak të numrave, nuk mund ta bëjnë pa ndihmën e shqiptarëve. Shqiptarët, e kam fjalën për partitë e tyre parlamentare, do të duhej ta kushtëzojnë Zaevin me përmbushjen e kërkesave plotësisht të arsyeshme të shqiptarëve – në radhë të parë të kërkesës për zyrtarizimin e plotë të gjuhës shqipe në nivel shtetëror – të cilat nuk e rrezikojnë aspak ekzistencën e Maqedonisë si shtet (përkundrazi e forcojnë atë) dhe nuk i cenojnë interesat e maqedonasve. Ka ardhur momenti që të ndodhë kjo dhe besoj se mund të ndodhë, natyrisht nëse liderët e partive politike shqiptare në Maqedoni dhe në radhë të parë ata të BDI-së, si parti më e madhe, me numër më të madh të mandateve, e kanë vërtet seriozisht.
“Epoka e re”: Nga kjo situatë që po shohim, a do të thotë se e ardhmja e Maqedonisë si shtet varet nga shqiptarët?
Vinca: E ardhmja e Maqedonisë si shtet nuk varet vetëm nga shqiptarët, por edhe nga shqiptarët. Maqedonia është një lloj tampon-zone mes Bullgarisë, Greqisë, Serbisë dhe Shqipërisë dhe si e tillë luan rol ekuilibrues në Ballkan, për çka janë të interesuara Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian. Shqiptarët si komb dhe Shqipëria si shtet deri tani janë treguar tejet të kujdesshëm ndaj Maqedonisë, kurse shqiptarët që jetojnë në trojet e tyre në Maqedoni tepër luajalë ndaj këtij shteti, të cilin “Abasi” i posazbritur nga mali në vitin 2001 qe ngutur ta quante “atdhe”. Po të kishte Serbia kaq popull sa ka Shqipëria në Maqedoni, aty serbët do të kishin qenë moti popull shtetformues me të gjitha atributet që nënkupton ky term, madje vetë Shkupi zyrtar do t’ua ofronte këtë status, duke i lutur e përgjëruar që të mos krijonin edhe një “Republika Srpska” si në Bosnjë, apo një “Zajednicë” me ingjerenca pak a shumë të njëjta, siç po tentojnë ta krijojnë në Kosovë.
Është e çuditshme, madje, që liderët e partive politike shqiptare në Maqedoni shumë herë janë treguar më të zellshëm sesa kolegët e tyre maqedonas në mbrojtje të Maqedonisë si shtet, duke u bërë kështu “gardianë” besnikë të saj. Maqedonia, siç kam theksuar qysh para një çerek shekulli në librin tim Populli i pandalur (1992), është shtet multietnik, multikulturor e multikonfesional dhe mund të ekzistojë vetëm si i tillë e jo si shtet unik, ku pala maqedonase dëshiron ta ruajë me fanatizëm pozitën e vet të privilegjuar e hegjemone. Që të ekzistojë dhe prosperojë si shtet në një periudhë afatgjatë, Republika e Maqedonisë duhet të ridefinohet, duke u përkuzifuar me Kushtetutë si shtet i dy bashkësive më të mëdha etnike, maqedonasve sllavë dhe shqiptarëve etnikë, si dhe i të tjerëve që jetojnë në të. Ky është për mendimin tim një conditio sine qua non (kusht pa të cilin s’bën) për ekzistencën e Maqedonisë si shtet.
“Epoka e re”: Në një rast (në debatin e intelektualëve shqiptarë nga Maqedonia të mbajtur në Prishtinë më 10 qershor 2016) keni thënë se në skenën politike shqiptare në Maqedoni duhet të dalë një brez i ri politikanësh.
Vinca: Po, e vërtetë. Kam thënë dhe mendoj kështu. Brezi i vjetër i politikanëve shqiptarë në Maqedoni është harxhuar, prandaj në skenën politike duhet të dalin politikanë të rinj me dije e vizione të reja; të guximshëm dhe të ndershëm, të tillë që do ta venë në plan të parë interesin kombëtar, por edhe hallet e njerëzve si qytetarë, pavarësisht nga përkatësia etnike, e jo interesat personale, partiake dhe klanore. (E njëjta vlen edhe për skenën politike në Kosovë, në Shqipëri e gjetkë, kudo ku jetojnë shqiptarët). E dini se në zgjedhjet e fundit parlamentare në Maqedoni, në këto për të cilat e kemi fjalën, për herë të parë shumë shqiptarë (thuhet rreth 70 mijë, por edhe sikur të ishin shtatë mijë për mua nuk do të ishte pak!), kanë votuar për një parti maqedonase: Lidhjen Socialdemokrate të Maqedonisë, e cila tani ka në radhët e saj edhe dy deputetë shqiptarë. Ky është një fenomen i panjohur më parë, që flet për zhgënjimin e pjesëtarëve të kombësisë shqipare nga partitë politike shqiptare, veçanërisht nga BDI-ja dhe PDSH-ja, nga premtimet e tyre të parealizuara, nga mashtrimi dhe demagogjia. Por edhe nga pasurimi marramendës i disa kuadrove të këtyre dy partive dhe nga lapërdhitë e tyre.
Në zgjedhjet e fundit garuan për herë të parë dy subjekte të reja politike si koalicione: Lëvizja Besa dhe Partia Demokratike Shqiptare-Lëvizja për Reforma, në krye të të cilave qëndrojnë dy njerëz relativisht të rinj në moshë, por jo edhe pa përvojë politike: Bilall Kasami dhe Zijadin Sela. Nuk e njoh zotin Kasami dhe nuk mund të flas për të, sado që Lëvizjen e tij me emrin e bukur shqip “Besa”, e ndjek pas nami i të qenit “proturke” e “proislamike”, por e njoh mirë Zijadin Selën, i cili, për mendim tim – dhe kur them kështu nuk nisem nga lokalizmi i sëmurë, që nuk përkon aspak me formimin tim si njeri dhe intelektual – është aktualisht i vetmi politikan shqiptar në Maqedoni që ka karizmën e një lideri. (Edhe si deputet, më parë dhe si kryetar komune, deri në zgjedhje, ka pasur performancë të suksesshme). Programi i tij politik është serioz, kërkesat të qarta, kurse paraqitjet publike të bindshme. Subjekti të cilin e drejton ai, në koalicion me dy subjekte më të vogla (një pjesë e RDK-së dhe Uniteti i zotit Ostreni), mori pjesë për herë të parë në zgjedhje dhe pothuajse pa kurrfarë përkrahjeje mediatike e tjetërfare fitoi tre mandate, një më shumë se PDSH-ja e Menduh Thaçit nga e cila ka dalë. Po të isha unë në vend të zotit Thaçi, roli i të cilit në politikën shqiptare në Maqedoni, sidomos në një periudhë të caktuar, sado kontravers, nuk është për t’u nënçmuar, menjëherë pas zgjedhjeve do t’ia dorëzoja edhe dy deputetët, njëri nga të cilët është ai vetë, “nxënësit” të tij dhe të mësuesit të tyre të përbashkët, Arbër Xhaferit, Z. Sela dhe do t’i thoshta: “Urdhëro, nga sot drejtoje ti Partinë Demokratike Shqiptare si parti unike!”.
“Epoka e re”: Dhe, në fund, cili do të jetë, sipas jush, impakti që do të kishte edhe për rajonin një situatë stabile me shqiptarët si komb shtetformues dhe aktiv në vendimmarrje në institucionet në Maqedoni?
Vinca: Për mua çështja shqiptare në Maqedoni nuk është thjesht çështje e një palë zgjedhjeve dhe e një koalicioni qeveritar, por një problem shumë më i gjerë e më kompleks. Është dashur të shikohet dhe të trajtohet si i tillë në kohën e shpërbërjes së ish-Jugosllavisë, në fillim të viteve ’90 të shekullit të kaluar, kur Ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë u konstitua si shtet më vete, por, për shkak të dobësisë së faktorit shqiptar, kjo gjë nuk ndodhi atëherë. Në kohën kur Maqedonia e kishte shpallur pavarësinë, por nuk kishte ende subjektivitet ndërkombëtar, në vitet 1991-1993, shqiptarët bënë dy gabime trashanike, me pasoja historike: e para, Partia për Prosperitet Demokratik, e cila ishte, sikurse Lidhja Demokratike në Kosovë, një lloj lëvizjeje dhe e kishte popullin me vete, hyri në koalicion qeveritar me LSDM-në (ish-Lidhjen e Komunistëve) në zgjedhjet e para pluraliste të vitit 1991 dhe, e dyta, gabimi i dytë trashanik, me pasoja historike, është njohja turravrap e pa asnjë kusht e IRJM-së në kufijtë e saj ekzistues nga shteti shqiptar, Republika e Shqipërisë, në vitin 1993. Shansi që çështja shqiptare në Maqedoni të zgjidhej në kohën e ristrukturimit të ish-Jugosllavisë dhe të konstituimit të Maqedonisë si shtet, u lëshua atëherë dhe për këtë dikush duhet të mbajë përgjegjësi historike./ina