Borxhi publik i Maqedonisë afër pesë miliardë euro

Fotolia_3907887_Goos_La

Numëratori i Uebfaqes që mat borxhin publik të Maqedonisë tregon rritje të vazhdueshme të tij, që ka arritur në 5 miliardë e 11 milionë euro, gjegjësisht 53 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto, shkruan gazeta KOHA. Me fjalë të tjera, nëse i referohemi këtij treguesi, çdo qytetar i Maqedonisë ka borxh prej 2477 euro. Këto të dhëna nuk përputhen me të dhënat zyrtare të Ministrisë së Financave, sipas të cilave borxhi publik nuk ka tejkaluar shifrën prej pesë miliardë.

Sipas Uebfaqes së tyre, ku të dhënat e fundit janë për tremujorin e fundit të 2016, gjegjësisht fundin e muajit dhjetor, borxhi publik i Maqedonisë është 4 miliardë e 711 milionë euro. Nga ky dikaster theksojnë se para dy javësh konform metodologjisë të përllogaritjes, të realizuar së bashku me statistikën zyrtare, borxhi prej 51 për qind sa ishte në fund të vitit të kaluar, është ulur në 47.8 për qind të PBB-së. Shtohet më tej se nuk është e saktë se në kohën e fundit e kanë ndryshuar metodologjinë që ka qenë shkak për uljen e lartësisë së borxhit publik dhe shtetëror.

“Ministria e Financave realizoi harmonizimin e të dhënave të saja me ato të Entit të Statistikës, që është procedurë e rregullt për çdo vjet. Ndërsa metodologjia e Ministrisë për shpalljen e borxhit publik është e harmonizuar me Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe Eurostatin dhe tregohet në Uebfaqen e Ministrisë“, thuhet në demantin e Ministrisë së Financave.

Nga ana tjetër, ekonomistët thonë se problemi kryesor nuk është lartësia e borxhit prej afër pesë miliardë euro apo më shumë se pesë miliardë euro, që është afër 50 për qind të PBB-së. Ato problematizojnë faktin e harxhimit joproduktiv të të hollave publike dhe rritjes së madhe të borxhit që nuk ka sjellë përmirësim të mirëqenies së qytetarëve.

Ndryshe, Maqedonia vite me radhë ka deficit buxhetor negativ prej disa për qind për shkak se të ardhurat e shtetit janë më të vogla se shpenzimet e tij, andaj edhe bilanci buxhetor është negativ. Me fjalë të tjera shpenzimet publike për një vit kalendarik janë më të larta se të ardhurat publike.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu