Fragment/Fletore koniciane nr.7
Është e njohur që, në fushën e hartografisë, trojet shqiptare janë shfaqur për herë të parë në hartën gjeografike të Ptolemeut në shekullin II të erës sonë, ku jepet jo vetëm territori ilir midis Durrësit e Tiranës, përcaktuar me termin “Albanopoli” si qytet i albanëve, por dëshmohet edhe për vendbanime të tjera iliro-dardane. Më pas, do të jetë Tabula Peutingeriana, shek. III, (në segmentin e saj VIII, emërtuar “Iliricum” e “Iepirum”) që do të përcaktojë troje e territore iliro-shqiptare, si Scodra, Dyrratio, Apollonia, Aulona, dhe do të vijohet më tej me hartën e Al-Idrizit (1154), për të arritur në shekujt XIV-XV, ku zënë e shfaqen territore arbërore e shqiptare nën emrin “Albania”, madje edhe qytetet kryesore të tyre, me kështjellat, lumenjtë, kufizimet, etj.
Nuk ka dyshim se në rrjedhë të shekujve, mbushullia e të tilla hartave me termin “Albania”, përpiluar nga hartografë të shquar evropianë përbën mrekullisht një pasuri dhe dëshmi të etnisë së lashtë shqiptare. Faik Konica, gjurmues i hershëm i gjithçkaje shqiptare nëpër bibliotekat e Europës, është i pari rilindës që intrigohet dhe interesohet nga afër për hartat më të vjetra që pasqyrojnë Shqipërinë, duke arritur të zbulojë në British Museum tetë hartat e Camotti-t (Venedik, 1571) me emrin “Provincia di Albania”. Veçse, krahas entuziazmit të zbulimeve, ai edhe do thartohet njëfarësoj tek vëren, sidomos gjatë shekullit XIX, pasaktësi e shtrembërime në emërtime, si dhe kufizime të theksuara në përmbajtjen e hartave, të cilat e shfaqnin Shqipërinë në mënyrë të copëtuar e “të përciptë” (cilësimi është i vetë Konicës), në kuadër të Europës jug-lindore, të gadishullit ballkanik apo të së ashtuquajturës “Turqi europiane”. Për më tepër që asnjë hartë që i binte në dorë nuk ishte e përpiluar enkas për shqiptarët, ndonëse paraqitnin trevat e tyre. Ato ishin thjesht të destinuara për publikun e huaj.
E megjithatë, ai nuk i ndal hulumtimet, dhe veç kur e shohim, në fillim të shekullit XX, të vendosë kontakte të drejtpërdrejta pune me gjeografin e madh Elisée Reclus, figurë e shquar botërore, autor i veprës “Gjeografia e përbotshme”, vepër të cilën Konica e quan “monument”, tek ka pikasur në të që stërgjyshi i tij i lashtë Ali Pashë Tepelena shpallet “Rishëljëja i Shqipërisë”. Themi që Konica vendosi “kontakte pune” sepse gjeniu i ri shqiptar do të kishte idenë e shkëlqyer për të botuar për herë të parë, falë Institutit gjeografik të Brukselit, një hartë të Shqipërisë, unikale në llojin e vet, hartë me emërtime toponimike shqipe, të cilën ai e shihte si një domosdoshmëri historike.











