Bujar Osmani shpërthen: Poshtërim i organizuar ndaj shqiptarëve në Ministrinë për Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive! Dorëheqje menjëherë!

Ish-ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, ka reaguar ashpër ndaj, siç e cilëson ai, një akti të paprecedentë poshtërimi institucional ndaj shqiptarëve në Ministrinë për Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive përcjell agjencia e lajmeve INA.

Sipas Osmanit, 40 të punësuar shqiptarë janë futur qëllimisht në një zyrë pa kushte minimale për punë – pa karrige, pa tavolina, pa kompjuterë dhe pa asnjë mjet bazë. Ata janë detyruar të qëndrojnë në këmbë nga ora 07:00 deri në 16:00, pa u angazhuar në asnjë proces pune.

Situata ka marrë përmasa edhe më të rënda kur punonjësit, nga mungesa e ulëseve, janë detyruar të improvizojnë duke u ulur në dysheme. Sipas reagimit të Osmanit, kjo pamje është shfrytëzuar për t’i turpëruar publikisht me narrativën fyese: “Ja si punojnë shqiptarët”.

“Poshtërimi ishte i organizuar, faji iu faturua viktimës dhe tani po tentohet të njolloset një komunitet i tërë”, thekson Osmani, duke shtuar se si pjesë e këtij skenari frikësues, shtatë të punësuar janë larguar nga puna për të mbjellë frikë dhe pasiguri te të tjerët.

Reagimi i Osmanit përfundon me një kërkesë të prerë dhe të qartë politike dhe morale: dorëheqje e menjëhershme e përgjegjësve për këtë skandal, i cili, sipas tij, përbën diskriminim të hapur dhe shkelje të rëndë të dinjitetit njerëzor dhe profesional të shqiptarëve në administratën shtetërore./INA/


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu