Historiani dhe akademiku shqiptar Jusuf Buxhovi ka rikthyer në vëmendje një aspekt të debatueshëm të historisë së Ballkanit, duke theksuar se në kohën kur Serbia u njoh ndërkombëtarisht si shtet, përbërja etnike e territorit të saj ishte shumë më e larmishme nga sa paraqitet sot.
Sipas tij, në momentin kur Serbia u pranua si shtet në Kongresi i Berlinit në vitin 1878, një pjesë e madhe e popullsisë së territoreve të saj nuk ishte serbe. Duke iu referuar burimeve osmane dhe austro-hungareze, Buxhovi thekson se rreth gjysma e popullsisë përbëhej nga shqiptarë dhe vllahë, ndërsa serbët nuk përbënin shumicë absolute në disa rajone të rëndësishme.
“Kur Serbia u pranua si shtet në vitin 1878, sipas dokumenteve të kohës, rreth gjysma e popullatës nuk ishte serbe. Shumicën në shumë zona e përbënin shqiptarët dhe vllahët”, shkruan Buxhovi.
Ai e krahason këtë zhvillim edhe me rastin e Greqisë, e cila u njoh si shtet më 1830-1831, ku sipas tij në disa zona nuk kishte shumicë etnike greke, por arvanite.
Sipas studiuesve të historisë së rajonit, luftërat serbo-osmane të viteve 1877-1878 dhe zgjerimi territorial i Serbisë pas vendimeve të Kongresit të Berlinit u shoqëruan me dëbimin e dhjetëra mijëra shqiptarëve nga rajonet e Nishit, Toplicës, Prokuples dhe Vranjës, të cilët më pas u vendosën kryesisht në Kosovë. Këta njihen në histori si muhaxhirët e vitit 1878.
Deklarata e Buxhovit rikthen në qendër të debatit historik origjinën demografike të shteteve të Ballkanit, duke sfiduar narrativat zyrtare që shpesh e paraqesin historinë e rajonit si etnikisht homogjene./INA/










