Caktohet koha e zgjedhjeve lokale në Maqedoni

Në mbledhjen koordinuese ndërmjet kryeparlamentarit të Maqedonisë dhe partive politike janë dakorduar se prioritet i jashtëzakonshëm për Republikën e Maqedonisë është arritja e marrëveshjes për miratimin e Propozim-ligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Kodit Zgjedhor me të cilin mbajtja e zgjedhjeve lokale do të parashihet në gjysmën e parë të muajit tetor, kurse mandati i kryetarëve të komunave dhe këshilltarëve të vazhdohet deri në zgjedhjen e anëtarëve të rinj të këshillave dhe kryetarëve të komunave. Kështu njoftojnë nga kabineti i kryetarit të Kuvendit, Talat Xhaferit.

“Presim në afat të shkurtër partitë të arrijnë marrëveshje për formimin e trupave punuese, me qëllim që ndryshimet e Kodit Zgjedhor të miratohen në bazë të procedurave të Rregullores”, thuhet në kumtesën e kabinetit të kryeparlamentarit.

“Me qëllim të mundësohen kushte për punë të rregullt të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë është e domosdoshme që të respektohet Rregullorja e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë dhe i ftoi partitë politike të cilat janë të përfaqësuara në Kuvend, konform nenit 33 të Rregullores së Kuvendit të RM-së ta njoftojnë për formimin e grupeve parlamentare”, përfundon kumtesa.

Në koordinim kanë marrë pjesë LSDM, BDI, Lëvizja BESA dhe Aleanca për Shqiptarët, ndërkaq VMRO-DPMNE ka bojkotuar.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu