Ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu, i bëri thirrje Gjermanisë të veprojë në përputhje me “frymën e aleancës” lidhur me operacionin antiterrorist të Turqisë në veri të Sirisë, raporton Anadolu Agency (AA).
“Ajo që ne presim nga Gjermania është që ajo të veprojë në përputhje me frymën e aleancës”, tha Çavuşoğlu në një konferencë të përbashkët shtypi me homologun e tij gjerman Heiko Maas në kryeqytetin Ankara.
Çavuşoğlu tha se bashkëpunëtorët e grupit të terrorist YPG/PKK në Gjermani kanë ngacmuar dhe sulmuar qytetarët turq dhe u kërkoi zyrtarëve gjermanë të sigurisë të veprojnë kundër elementeve të tilla.
“Turqia është vendi më i ndjeshëm ndaj çështjeve të integritetit territorial të Sirisë dhe kthimit vullnetar të refugjatëve”, tha ai, duke shtuar se disa vende, përfshirë Izraelin dhe Francën, i kushtuan rëndësi të vogël integritetit territorial të Sirisë kur terroristët e YPG/PKK-së provuan të ndanin vendin.
Ai gjithashtu tha se mbi 30.000 sirianë të zhvendosur, sipas të dhënave të OKB-së, kanë filluar të kthehen në veri të Sirisë në zonën e çliruar përmes operacionit antiterrorist të Turqisë.
Duke komentuar lëvdatat e presidentit dhe senatorëve të SHBA-së për Ferhat Abdi Şahin (Mazloum Kobani), udhëheqësin kryesor të terroristëve të YPG/PKK-së, ai tha se “Është e papranueshme që SHBA të vendosë dialog me një terrorist të kërkuar nga Interpoli”.
Më 9 tetor, Turqia filloi operacionin “Burimi i Paqes” për të eliminuar terroristët nga Siria veriore në lindje të lumit Eufrat, për të ndihmuar kthimin e sigurt të refugjatëve sirianë dhe për të garantuar integritetin territorial të Sirisë.
Të martën, presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan dhe homologu i tij rus Vladimir Putin zhvilluan një takim në qytetin bregdetar rus Soçi, ku Ankaraja dhe Moska arritën një marrëveshje sipas të cilës, brenda 150 orëve terroristët e YPG/PKK-së do të tërhiqen 30 kilometra në jug nga kufiri i Turqisë me Sirinë.
Në fushatën e saj terroriste mbi 30-vjeçare kundër Turqisë, PKK, e listuar si një organizatë terroriste nga Turqia, SHBA dhe Bashkimi Evropian (BE), ka qenë përgjegjëse për vdekjen e 40 mijë personave, përfshirë shumë gra, fëmijë dhe foshnja. YPG është dega siriane e PKK-së.