Ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu, tha se më 20 nëntor në Washington do të bisedojë me Sekretarin amerikan të Shtetit, Mike Pompeo për të gjitha aspektet e marrëdhënieve me Amerikën, raporton Anadolu Agency (AA).
Duke folur në New York, ministri turk foli edhe për organizatën terroriste FETO.
“FBI kohët e fundit ka nisur hetime për shkeljet e FETO-s në SHBA. Bëhet fjalë për hetime gjithëpërfshirëse”, ka thënë Çavuşoğlu.
Presidenti i SHBA-ve Donald Trump më parë gjatë një pyetjeje lidhur me pretendimet e fundit për ekstradimin e mundshëm të liderit të organizatës terroriste FETO Fetullah Gülen në Turqi, tha:
“Kjo nuk është diçka që jemi duke e shqyrtuar. Ne shohim se çfarë ne do të bëjmë për Turqinë, gjithmonë e bëjmë këtë. Sinqerisht, gjithmonë këtë e bëjmë për të gjitha vendet me të cilat kemi marrëdhënie të mira”, ka thënë Trump.
“Me Turqinë kemi bërë një hap të rëndësishëm përpara. Siç e dini, në javët e fundit ata liruan pastorin Brunson. Me presidentin Erdoğan kam marrëdhënie shumë të mira. Ai është miku im. Një njeri i fortë, i mprehtë dhe inteligjent”, ka thënë Trump.