Rotorët dhe tamburet (sistemi i frenimit te disa vetura) e frenave janë të prodhuara nga aliazh çeliku, me pak trajtim kundër korrozionit.
Pas vetëm disa orësh qëndrimi në një mjedis të lagësht (sidomos në muajt e dimrit kur frenat ekspozohen edhe ndaj kripës), në sipërfaqen e tyre do të fillojë të formohet një shtresë e hollë ndryshku.
Natyrisht, sa më gjatë të qëndrojë vetura e parkuar, aq më keq bëhet situata, veçanërisht në vende parkimi me kullim të dobët që nuk janë të thata. Korrozioni do të përhapet dhe do të ulet edhe efikasiteti i frenave.
Kur e përdorni veturën për herë të parë pas disa ditësh ose javësh, merrni pak kohë që disa herë ta shtypni dhe lironi lehtë pedalin e frenës para se të niseni.
Pasi të filloni lëvizjen, bëni të njëjtën gjë – shtypni lehtë frenën, duke pasur kujdes të mos rrezikoni askënd në trafik, sidomos ata që lëvizin pas jush. Në këtë mënyrë do të hiqni ndryshkun sipërfaqësor nga frenat, pra do të parandaloni rënien e performancës së tyre kur t’ju nevojiten.
Gjithashtu, dëgjoni zhurmën gjatë frenimit; nëse ka kërcitje ose fishkëllimë edhe pasi ta keni shtypur disa herë frenën, nuk do të ishte keq që një specialist t’i kontrollojë frenat.
Rekomandohet që para një periudhe të gjatë qëndrimi, gjatë vozitjes në një sipërfaqe të thatë, gjithashtu të shtypni lehtë frenat për t’i pastruar nga papastërtitë. /Telegrafi/










