Çfarë opsionesh ushtarake apo të tjera ka SHBA-ja kundër Iranit?

Duket se Uashingtoni i ka rikthyer në agjendë veprimet ushtarake kundër Iranit, në një kohë kur po ndodh një shtypje gjithnjë e më vdekjeprurëse ndaj protestuesve në qytete dhe qyteza në të gjithë vendin.

Raporte të pakonfirmuara thonë se më shumë se 500 njerëz janë vrarë – edhe pse disa grupe për të drejtat e njeriut thonë se numri i viktimave mund të jetë disa herë më i lartë – gjatë shtypjes së kryengritjes.

Protestat e javëve të fundit janë shndërruar në njërën prej sfidave më të mëdha ndaj sundimit klerikal që nga Revolucioni Islamik i vitit 1979.

Demonstratat u nxitën nga inflacioni i madh dhe rënia e shpejtë e monedhës kombëtare, por më pas u shndërruan në një protestë më të gjerë kundër autoriteteve të vendit.

Uashingtoni, por edhe Teherani kanë lënë të kuptohet se janë të hapur për bisedime. Por, presidenti amerikan, Donald Trump, ka thënë se SHBA-ja mund të ndërmarrë veprime gjithsesi, duke pasur parasysh raportet për veprime brutale kundër protestuesve.

“Ne mund të takohemi me ta. Një takim po organizohet, por mund të na duhet të veprojmë për shkak të asaj që po ndodh para takimit”, u tha Trump gazetarëve në bordin e avionit të Forcës Ajrore më 11 janar.

Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araqchi, tha më 12 janar: “Republika Islamike e Iranit nuk po kërkon luftë, por është plotësisht e përgatitur për luftë”.

Pra, cilat janë opsionet e Uashingtonit nëse diplomacia dështon?

Sulme të kufizuara

Nga ana pozitive, sulmet e kufizuara ndaj objektivave simbolike do të përfshinin më pak rrezik për Forcat e Armatosura Amerikane dhe për goditjen e civilëve.

Ato gjithashtu do të kryheshin më lehtë brenda kapaciteteve ushtarake të SHBA-së në rajon dhe përtej tij, dhe teorikisht mund të kryheshin pa përfshirjen e aleatëve të SHBA-së në Gjirin Persik.

Disa analistë kanë thënë se ky opsion ka disa mangësi, kryesisht sepse i mundëson regjimit të mobilizojë mbështetje patriotike dhe të largojë vëmendjen nga ankesat që ushqejnë demonstratat mbarëkombëtare, duke shkaktuar njëkohësisht pak dëme reale.

Gjithashtu, mund t’u dërgojë shenjë protestuesve se Uashingtoni nuk po iu del në ndihmë tyre kur po vriten dhe po arrestohen nga forcat iraniane të sigurisë.

Një shembull i një caku të tillë do të ishte një strukturë si kazermat e policisë, të paramilitarëve Basij ose të Gardës Revolucionare Islamike (IRGC).

Një fushatë e qëndrueshme

Një fushatë më e bashkërenduar sulmesh kundër IRGC-së do të mundë të kishte më shumë ndikim, veçanërisht nëse do të zgjerohej dhe do të përfshinte sulme ndaj objekteve raketore iraniane, komandës dhe kontrollit, si dhe forcave të tjera të sigurisë.

Një problem është se forcat detare amerikane aktualisht nuk ndodhen në rajon në numër dhe kapacitet të mjaftueshëm. Aeroplanmbajtësja më e afërt, USS Abraham Lincoln, ndodhet aktualisht në Detin e Kinës Jugore, ku po kryen stërvitje me municion të vërtetë. Ajo është disa ditë lundrim larg Gjirit Persik.

Forcat amerikane kanë baza ushtarake në rajon, në vende si Kuvajti, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Katari. Por, këto vende, sipas raportimeve, i kanë kërkuar Uashingtonit të mos ndërmarrë veprime ushtarake.

Shumëkush do të ishte i shqetësuar nga ndonjë kundërsulm iranian. Gjatë luftës 12-ditore në qershor, kur Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara goditën programin bërthamor të Iranit, një sulm raketor iranian ndaj një baze ajrore në Katar shkaktoi shqetësim të madh./REL


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu