Ikona e muzikës shqiptare, Parashqevi Simaku, u rikthye mbrëmë në ekran pas shumë vitesh mungesë, në një intervistë ekskluzive për emisionin “Opinion”, ku ndau me publikun disa prej rrëfimeve më të pazakonta të jetës së saj.
Një prej deklaratave më të bujshme që po qarkullon me shpejtësi në rrjetet sociale është pohimi i saj se nuk ka rënë kurrë në dashuri.
E ftuar nga gazetari Blendi Fevziu, Simaku foli për jetën e saj personale, përfshirë periudhën që kaloi në Amerikë, vështirësitë, përballjen me realitetin e rrugës, martesën, por edhe mënyrën se si ka zgjedhur të jetojë larg vëmendjes publike.
“S’kam rënë kurrë në dashuri,” tha ajo pa hezitim, kur u pyet për ndjenjat që mund të ketë provuar gjatë rinisë.
Madje as në gjimnaz, nuk pati një dashuri platonike. “Kam pasur fatin që më kanë dashur,” shtoi ajo.
Simaku tregoi gjithashtu se, që në fillim të karrierës, ishte një vajzë shumë e thjeshtë, që nuk i pëlqente të lyhej apo të binte në sy. “Asnjëherë nuk lyhesha, edhe kur shkova në shkollë. Vishesha shumë thjeshtë,” rrëfeu ajo.
Deklaratat e saj kanë trazuar rrjetet sociale, ku shumë komentues shprehen të befasuar nga kjo anë e panjohur e artistes.
Ky rrëfim i sinqertë është ndoshta një nga momentet më të veçanta të rikthimit të saj në publik.