Renditja më e fundit e “Henley Passport Index” tregon se vendet e Ballkanit vazhdojnë të shfaqin dallime të theksuara në fuqinë e pasaportave të tyre, të matur sipas numrit të destinacioneve ku qytetarët mund të udhëtojnë pa vizë ose me procedura të lehtësuara, përcjell INA.
Sipas indeksit, Kroacia mban pasaportën më të fuqishme në Ballkan, duke u ofruar qytetarëve të saj akses pa vizë në 184 destinacione në mbarë botën, çka e pozicionon vendin edhe ndër shtetet me renditje të lartë globale.
Pas Kroacisë, në rajon renditet Serbia, e cila zë vendin e 35-të në botë, me 137 destinacione të aksesueshme pa vizë. Mali i Zi ndodhet në vendin e 42-të, duke u mundësuar qytetarëve të tij udhëtime pa vizë në 128 destinacione.
Maqedonia e Veriut është renditur në vendin e 41-të globalisht, duke shënuar përmirësim krahasuar me vitin e kaluar. Me pasaportën e saj, qytetarët mund të udhëtojnë pa vizë në 129 destinacione.
Shqipëria dhe Bosnja e Hercegovina renditen përkatësisht në vendet 45 dhe 46, me akses pa vizë në 123 dhe 122 destinacione, ndërsa Kosova mbyll listën rajonale në vendin e 63-të, me vetëm 81 destinacione pa vizë.
Në rang global, Singapori kryeson renditjen me akses pa vizë në 193 destinacione, i ndjekur nga Koreja e Jugut dhe Japonia, me 190 dhe 189 destinacione respektivisht. Disa nga pasaportat më të fuqishme i përkasin gjithashtu vendeve evropiane si Franca, Gjermania, Italia, Spanja dhe Zvicra.
Henley Passport Index përpilohet bazuar në të dhënat e Shoqatës Ndërkombëtare të Transportit Ajror (IATA) dhe mat fuqinë e pasaportave sipas numrit të vendeve që mund të vizitohen pa vizë, me vizë në ardhje ose përmes autorizimit elektronik të udhëtimit (eTA). /INA/










