Çitaku i përgjigjet Kurtit: Në vend se të japë llogari për aferat e qeverisë, sulmon opozitën si patriarkale

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, i cili sot sulmoi partitë opozitare pas dështimit për votimin e Albulena Haxhiut si kryetare e Kuvendit.

Çitaku tha se Kurti, në vend që të japë llogari për dëmtimin e ekonomisë dhe për përfshirjen e figurave të afërta me pushtetin në afera korruptive, ka zgjedhur ta etiketojë opozitën si “patriarkale dhe të prapambetur”.

“Albin Kurti, në vend që të japë llogari për dëmtimin e ekonomisë dhe prodhuesve vendorë, në vend që të përgjigjet për aferat e panumërta korruptive të qeverisë së tij, në vend që të sqarojë përfshirjen e vëllait të Luan Dalipit në pazare me shitblerjen e energjisë, ka zgjedhur, si zakonisht, të sulmojë opozitën, duke e etiketuar si patriarkale dhe të prapambetur”, ka shkruar Çitaku.

Ajo theksoi se është ironike që Kurti akuzon opozitën për patriarkalizëm, kur PDK, sipas saj, ka qenë e para që ka propozuar një grua për presidente – Flora Brovinën – dhe ka mbështetur vazhdimisht gratë në pozita të larta.

Çitaku rikujtoi se PDK e ka bërë të qartë se nuk do të votojë ministrat e Qeverisë Kurti 2, ndërsa Vetëvendosje, me afro 40 deputetë, ka mundësi të propozojë një emër tjetër për postin e kryekuvendarit.

Në reagimin e saj, ajo listoi edhe gratë të cilat, sipas saj, janë sulmuar ose shkarkuar nga Vetëvendosje gjatë qeverisjes Kurti, përfshirë Valdete Dakën, Vlora Hysenin dhe Gresa Cakën.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu